Presidentja Shiroka-Pula takon kryetarët e komunave, premton mbështetje për investime
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shirok – Pula, është takuar me kryetarët e komunave, me të cilët ka diskutuar për punën, arritjet, problemet dhe sfidat me të cilat përballen komunat. Ajo ka premtuar mbështetje për tërheqjen e investimeve të huaja dhe sigurimin e mundësive të reja të financimit të projekteve nga donatorët ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit, kryetarët e komunave e kanë uruar presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për të.
Presidentja ka theksuar se pushteti lokal është niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarët, duke vlerësuar se komunat janë institucioni i parë ku ata drejtohen për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Sipas saj, në nivelin lokal qytetarët shohin çdo ditë se si funksionojnë institucionet dhe sa përgjegjësi tregojnë ato.
Shiroka Pula ka theksuar gjithashtu se komunat shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të nivelit qendror.
Presidentja i ka siguruar kryetarët e komunave se do t’i mbështesë brenda kompetencave të saj.
Ajo është zotuar se gjatë takimeve me përfaqësues të shteteve të tjera, institucione ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë do të prezantojë potencialin e komunave të Kosovës.
Po ashtu, presidentja ka theksuar se do të angazhohet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e mundësive të reja për financimin e projekteve nga donatorët ndërkombëtarë.
