POLITIKATË FUNDIT

Mijëra qytetarë përmbyllin protestën me thirrje të forta: “Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi!”

Pas disa orësh qëndrimi para godinës së Kryeministrisë dhe marshimi kilometrik në rrugët e Tiranës, mijëra qytetarë mbyllën në sheshin “Skënderbej” protestën e 17-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protesta nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, të cilët më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë, mjekë, artistë, dhe qytetarë të tjerë, me mesazhin kryesor për dorëheqjen e kryeministrit.

Pas fjalimeve, turma nisi marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke kaluar në disa prej akseve të Tiranës, ndërsa gjatë gjithë kohës u dëgjuan thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe slogane të tjera të protestës.

Në përfundim të marshimit, qytetarët u rikthyen sërish në zonën qendrore të Tiranës, ku mbyllën tubimin me thirrje kundër qeverisë.

“Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, ishin disa prej thirrjeve që u dëgjuan nga mijëra protestues në fund të protestës, si edhe: “Nesër më shumë”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëri e re”.

Edhe sot në krye të marshimit ishin studentët, të cilët bënë thirrje pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim, duke iu bashkuar në shesh në orën 19:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *