TË FUNDIT

Me përplasje dhe kritika mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi

Mes përplasjesh e kritikash po zhvillohet mbledhja e Komisionit për Ekonomi ku në rend dite ishte edhe raportimi i kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku.

Megjithatë e njëjta ka njoftuar se nuk do të mund të merr pjesë në raportim, për arsye objektive. Kështu të paktën njoftoi kryetari i Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa.

Mustafa dhe anëtarët e tjerë të komisionit nga radhët e opozitës kërkuan që në mbledhje të diskutohet për gjendjen në Autoritetin e Konkurrencës, përkundër që kryetarja e këtij institucioni nuk është prezente.

E teksa Mustafa nisi të argumentoj se pse duhet të diskutohet për punën e Autoritetit të Konkurrencës, anëtarët nga radhët e Vetëvendosjes i reaguan duke e kritikuar se po e keqpërdor detyrën e kryetarit duke folur jashtë rendit të ditës.

“Kryetarja që nga muaji maj i vitit 2025, nuk ka ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës i cili menaxhon me punën e Komitetit. Pra ka kuorum por mbledhjet nuk ftohen për diku një vit e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe të defunksionalizimi kryetarja ka përvetësuar kompetencat e komisionit. Po ashtu përkundër kërkesave për Ligjin për Zyrtarët Publikë, që nga muaji mars 2024 ka shkelur ligjin pasi refuzuar ta largoj drejtorin e përgjithshëm të autoritetit përkundër se ka dy aktakuza”, ka deklaruar Arben Mustafa i PDK-së.

Anëtarët e komisionit nga Vetëvendosje thanë se nuk duhet të jepen konstatime por duhet që kryetarja e komitetit të thirret sërish për raportim.

“Duhet ta krijojmë një kulturë të punës në komision dhe mos të fillojmë elaborimin e pikave nëse nuk pajtohemi ose pajtohemi që ato të jenë pjesë e rendit të ditës. Nuk kemi çfarë të fshehim, jemi këtu ta elaborojmë situatën. Administrata mund ta ftoj edhe njëherë zonjën Neime dhe do të jemi këtu për ta elaboruar”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi.

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku tha se për dy vite janë raportuar një sërë skandalesh në Autoritetin e Konkurrencës andaj edhe kërkoi që sot në mbledhje të diskutohet për punën e këtij institucioni.

“Përtej luftës politike që mundemi me pas mes vete, kur ka diçka që mund të jetë për të mirën e vendit, është mirë me e diskutu një temë pa marrë parasysh a është ai person prezent apo jo. Ne jemi këtu për ta mbikëqyrur punën e atij komisioni. Kaq shumë skandale që kanë ndodh për dy vjet. Ne nuk ka nevojë ta shtyjmë, ne mundemi me diskutu”, ka shtuar ai. Kritik ndaj punës së Autoritetit të Konkurrencës u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani. “Më lejoni të jua kujtoj se ne jemi punëdhënës të saj. Ne nuk i raportojmë autoriteteve, ta duhet të na raportojnë ne. Kushdo që është mësuar të mendoj se nuk ka Kuvend e mbikëqyrje, duhet me u mësu se ka”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *