TË FUNDIT

Mbi 15 filiale bankash të dëmtuara në Shqipëri

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vizitoi sot nga afër një filial banke të dëmtuar gjatë protestave të dhunshme të ditëve të fundit, duke garantuar qytetarët për sigurinë e depozitave të tyre dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar.

Ibrahimaj bëri të ditur se mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës, duke prekur ambientet ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe paguajnë faturat.

“Janë mbi 15 filiale bankash, të cilat janë goditur nga dhuna e ditëve të kaluara. Aty ku marrin pagat, aty ku kryhen transaksione, paguajmë faturat. Në jetën tonë të përditshme ne i drejtohemi shërbimeve që bankat ofrojnë”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se dëmtimi i filialeve nuk cenon sigurinë e depozitave, pasi ato janë pjesë e një sistemi financiar të mbikëqyrur dhe të mirëkapitalizuar.

“Unë dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët që depozitat e tyre janë të sigurta. Depozitat nuk qëndrojnë nëpër sirtarë të degëve të bankave. Ato janë në një sistem financiar të shëndoshë, i cili është i mbikëqyrur dhe i mirëkapitalizuar”, deklaroi ajo.

Ministrja akuzoi organizatorët e akteve të dhunës se synojnë, sipas saj, të përhapin panik dhe të destabilizojnë ekonominë shqiptare. Ajo u shpreh se këto përpjekje nuk do të kenë sukses dhe solli në vëmendje skemën e firmave piramidale të vitit 1997.

“Atyre që organizojnë dhunën e përditshme dua t’u them se do të dështojnë në tentativën e tyre për të destabilizuar ekonominë shqiptare. Ata nuk mund të përsërisin skenarin e vitit ’97, me ‘Suden’ dhe skemat e firmave piramidale”, tha Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se garantimi i stabilitetit financiar dhe ruajtja e besimit të qytetarëve te sistemi bankar mbeten prioritete.

“Shqiptarët nuk e duan dhunën. Shqiptarët nuk e duan rrëmujën. Dhe Shqipëria është e shqiptarëve”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *