TË FUNDIT

FIFA ndryshon rregulloren pas rastit Balogun, por belgët kërkojnë ende përgjigje për ndërhyrjen e Trumpit

FIFA ka marrë përsipër të ndryshojë nenin 27 të rregullores së saj disiplinore, pas pyetjeve të ngritura nga Federata Belge e Futbollit (RBFA) lidhur me rastin e Folarin Balogun.

Njoftimi erdhi pas një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s në Cyrih, ku presidentja e RBFA-së, Pascale Van Damme, ngriti shqetësime për procesin disiplinor dhe rrethanat që e shoqëruan këtë rast.

Van Damme, e cila është pjesë e Këshillit të FIFA-s, i drejtoi tri pyetje organit më të lartë drejtues të futbollit botëror.

Pyetja e parë kishte të bënte me ndërhyrjen e pranuar publikisht nga presidenti amerikan, Donald Trump, në rastin Balogun. Federata belge kërkoi garanci nga FIFA se gjatë procedurës disiplinore nuk kishte pasur asnjë lloj ndërhyrjeje apo ndikimi të jashtëm.

Gjithashtu, RBFA kërkoi sqarime për rrethanat e jashtëzakonshme që çuan në marrjen e vendimit, si dhe për kriteret e përdorura në zbatimin e nenit 27 në raste të ngjashme.

Pyetja e tretë kishte të bënte me të drejtën e federatave anëtare për t'u dëgjuar në vendimet e ardhshme të marra nga organet disiplinore të FIFA-s.

Sipas federatës belge, FIFA theksoi se vendimet merren në mënyrë të pavarur nga organet e saj disiplinore.

Megjithatë, FIFA konfirmoi gjithashtu se neni 27 do të ndryshohet pas pyetjeve të ngritura nga pala belge. Propozimi pritet të hidhet në votim më 16 dhjetor në Doha, ku do të jepet edhe një shpjegim për rrethanat specifike të rastit Balogun.

Van Damme e mirëpriti zotimin e FIFA-s për ndryshimin e rregullores, por theksoi se federata belge kërkon ende qartësi lidhur me mënyrën se si zbatohen këto dispozita.

“Fakti që FIFA konfirmon se neni 27 do të ndryshohet, gjë që ne e kishim kërkuar që në korrik, përbën një hap të rëndësishëm. Por, për ne, çështja nuk përfundon këtu. Ne kërkojmë jo vetëm ndryshimin e rregullave, por edhe qartësi për mënyrën se si ato zbatohen”.

“Transparenca, siguria juridike dhe qeverisja e mirë duhet të jenë baza e çdo vendimi në futbollin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër këtë rast”, deklaroi ajo./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *