TË FUNDIT

Maqedonci në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Ukrainën: Kosova i ka trajnuar 146 ushtarë ukrainas

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel.

Përmes një njoftimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se në këtë takim u riafirmua vazhdimi i mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë për Ukrainën dhe popullin e saj, raporton IndeksOnline.

Ai theksoi kontributin konkret të Kosovës në mbështetjen e Ukrainës, duke bërë të ditur se në bashkëpunim me Komandën Evropiane të SHBA-së (EUCOM), janë trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas në shtatë grupe, ndërsa janë dërguar edhe dy pako të mbështetjes ushtarake.

Maqedonci bëri të ditur gjithashtu se pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për më shumë se dy vjet, kanë kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të operacionit “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe paqes në Evropë”, ka deklaruar Maqedonci.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, para fillimit të takimit, ministri kosovar zhvilloi edhe një takim me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi, në Përfaqësinë e Shqipërisë në NATO.

Sipas Maqedoncit, në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ndërsa ai e falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Evropë më e sigurt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *