LVV ‘paralajmëron’ angazhim, PDK ‘kërkon lutje’, analisti flet rreth postit të presidentit
Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti, ishte takuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për bisedime rreth postit të presidentit.
Takimi i tyre nuk pati ndonjë rezultat dhe për këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të vazhdojë angazhimet e tij për zgjedhjen e presidentit.
Për këtë ka thënë edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Nagavci ka thënë se Kurti në ditët në vijim do të mbajë takime, siç tha, për të arritur një pajtueshmëri në Kuvend për të parin e vendit.
Sipas saj, zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri, për dallim nga zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit.
“Kryeministri Kurti është duke vazhduar angazhimet e tij dhe besoj se në ditët e mbetura të arrijmë një pajtueshmëri, mbështetje dhe propozime konkrete për zgjedhjen e presidentit… Një palë zgjedhje të reja jo vetëm që janë të panevojshme, por janë të padrejta dhe nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri”, ka thënë ajo.
Gjersa, nga LVV paralajmërojnë angazhime, Partia Demokratike e Kosovës, kërkon që kryeministri Albin Kurti t’i shkruajë me shkrim kryetarit të tyre, Bedri Hamzës dhe ta ftojë në takim.
Vlora Çitaku nga PDK, ka bërë të ditur sot se kjo parti ende nuk ka pranuar asnjë ftesë zyrtare nga kryeministri Albin Kurti për takim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Ajo ka theksuar se PDK ka vetëm 22 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa përgjegjësia për sigurimin e shumicës parlamentare bie mbi partitë në pushtet.
“Parlamenti i Republikës së Kosovës ka 120 deputetë. PDK i ka vetëm 22 deputetë. Shumica parlamentare, nëse është e interesuar për ta zgjedhur presidentin, nuk e ka opsion të vetëm bashkëbisedimin apo dakordimin me PDK-në”, ka deklaruar Çitaku.
Sipas saj, zgjedhja e presidentit është një moment shumë i rëndësishëm për demokracinë parlamentare dhe duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur.
Ndërsa, rreth çështjes së presidentit ka folur për “Bota sot”, analisti Zejnullah Jakupi, i cili thotë se partitë politike ende kanë hapësirë për dialog dhe kompromis.
Sipas tij, procesi i zgjedhjeve kërkon përgatitje të plotë logjistike dhe institucionale për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të besueshme.
“Kanë mbetur edhe rreth dy javë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Në këtë periudhë vendimtare, duhet theksuar rëndësinë e përgjegjësisë politike dhe institucionale për të shmangur një situatë të panevojshme zgjedhore. Në lidhje me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, vlerësoj se partitë politike ende kanë hapësirë për dialog dhe kompromis. Është në interes të stabilitetit të vendit që ky proces të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar, duke reflektuar maturi politike dhe interesin qytetar. Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, vendi ka kapacitete formale për organizimin e tyre brenda 45 ditësh. Megjithatë, një proces i tillë kërkon përgatitje të plotë logjistike dhe institucionale për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të besueshme. Afati i shkurtër mbetet një sfidë që mund të ndikojë në cilësinë e procesit zgjedhor”, thotë Jakupi.
Partnerët ndërkombëtarë mund të kontribuojnë në lehtësimin e dialogut politike, sipas Jakupit, por angazhimi konstruktiv duhet të jetë i të gjitha forcave politike.
Sipas tij, kompromisi politik nuk është vetëm i domosdoshëm, por edhe plotësisht i arritshëm.
“Roli i faktorit ndërkombëtar mbetet i rëndësishëm. Partnerët tanë, përfshirë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE, mund të kontribuojnë në lehtësimin e dialogut politik, nxitjen e një zgjidhjeje konsensuale dhe garantimin e standardeve demokratike në çdo skenar. Në përfundim, apeloj për angazhim konstruktiv nga të gjitha forcat politike, në mënyrë që të sigurohet stabilitet institucional dhe të shmanget një krizë e panevojshme politike. Në këtë fazë vendimtare për institucionet e vendit, theksojmë qartë se kompromisi politik nuk është vetëm i domosdoshëm, por edhe plotësisht i arritshëm”, pohon analisti.
ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Në fund, ai kërkon që palët të reflektojnë, duke shtuar se kompromisi kërkon vullnet, por mbi të gjitha kërkon vendosjen e interesit shtetëror mbi interesat partiake.
“Pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë mes subjekteve politike, ekziston hapësira e nevojshme për dialog konstruktiv dhe për një zgjidhje që i shërben interesit të përgjithshëm. Arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit do të dëshmonte pjekuri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që të gjitha palët të reflektojnë dhe të kontribuojnë në mënyrë aktive për të shmangur skenarë të panevojshëm që mund të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kompromisi kërkon vullnet, por mbi të gjitha kërkon vendosjen e interesit shtetëror mbi interesat partiake. Prandaj, besojmë se me angazhim serioz dhe qasje konstruktive, një marrëveshje brenda afatit është jo vetëm e mundur, por edhe rruga më e drejtë përpara”, përfundon Jakupi.
Kuvendi ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.
