‘Lule Gjeli’ trazon opozitën: A po zëvendësohen temat reale me polemika online?
Prej disa ditësh, profili anonim “Lule Gjeli” është kthyer në temë debati në rrjetet sociale dhe në mediat e Kosovës. Pas pretendimeve të disa gazetarëve se shkrimet e publikuara nga ky profil janë tendencioze dhe nxitëse, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Speciale.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, ka dorëzuar të hënën kallëzim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me këtë.
Deliu ka deklaruar se përmbajtjet e publikuara nga ky profil dhe veprimtaria e tij duhet të trajtohen nga organet kompetente të drejtësisë, duke kërkuar hetim për identitetin e personit apo personave që qëndrojnë pas profilit, mënyrën e funksionimit të tij dhe veprimet e mundshme të kundërligjshme.
“Askush nuk duhet të fshihet prapa profileve anonime apo të rreme për të shpifur, kërcënuar, shantazhuar apo cenuar reputacionin e individëve”, ka shkruar Deliu, duke shtuar se liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mburojë për veprime të kundërligjshme.
Ajo ka thënë se tashmë i takon institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin dhe të zbardhin të gjitha rrethanat, duke shprehur besimin se Prokuroria do të veprojë në përputhje me ligjin.
Për “Lule Gjelin”, nga gazetarët është pyetur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por ai nuk është deklaruar rreth këtij profili.
“Rreziku i debatit ‘Lule Gjeli’”
Avokati Gazmend Halilaj, duke parë këtë debat publik thotë se krijohet përshtypja se vëmendja zhvendoset nga problemet substanciale drejt debateve që prodhojnë më shumë polarizim sesa zgjidhje.
“Fenomeni i profilit anonim “Lule Gjeli” ka marrë vëmendje të madhe publike jo domosdoshmërisht për shkak të ndikimit real të një profili në rrjetet sociale, por për shkak të mënyrës se si është trajtuar nga aktorë politikë dhe mediatikë. Në vend që debati publik të fokusohet te çështje me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët, si lufta kundër korrupsionit, forcimi i sundimit të ligjit, zhvillimi ekonomik apo zbardhja e rasteve të pazgjidhura, një profil anonim është shndërruar në temë qendrore të diskutimit. Kjo krijon përshtypjen se vëmendja po zhvendoset nga problemet substanciale drejt debateve që prodhojnë më shumë polarizim sesa zgjidhje”, deklaron Hailaj për “Bota sot”.
ImageAvokati Gazmend HalilajFoto galeri
Debati largohet nga thelbi, nëse energjia institucionale dhe politike përqendrohet më shumë te zbulimi i autorit të një profili sesa te adresimi i përmbajtjes së kritikave, shprehet Halilaj.
Sipas tij, përqendrimi te identiteti i “Lule Gjelit”, rrezikon ta zhvendos diskutimin publik nga sfidat reale me të cilat përballen qytetarët.
“Reagimi i ashpër ndaj një profili anonim mund të interpretohet si tregues se komunikimi politik në Kosovë është bërë tepër i ndjeshëm ndaj kritikës publike, pavarësisht burimit të saj. Në një demokraci funksionale, kritika duhet të trajtohet përmes argumenteve dhe transparencës, jo përmes fokusimit te identiteti i personit që e shpreh atë. Nëse energjia institucionale dhe politike përqendrohet më shumë te zbulimi i autorit të një profili sesa te adresimi i përmbajtjes së kritikave, krijohet perceptimi se debati po largohet nga thelbi. Përqendrimi te identiteti i “Lule Gjelit” rrezikon ta zhvendosë diskutimin publik nga sfidat reale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Çështje si sundimi i ligjit, përgjegjësia institucionale, korrupsioni, zhvillimi ekonomik, papunësia dhe cilësia e shërbimeve publike janë temat që meritojnë prioritet në diskursin publik. Kur debati dominohet nga polemika rreth një profili anonim, qytetarët mbeten pa përgjigje për problemet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre”, thekson avokati.
Në fund, ai shton se klima aktuale politike në Kosovë tregon se rrjetet sociale janë bërë një hapësirë me ndikim të madh në debatin publik.
“Fenomeni “Lule Gjeli” mund të shihet si një ilustrim i përplasjes mes komunikimit politik, propagandës dhe lirisë së shprehjes në rrjetet sociale. Nga njëra anë, është legjitime që të kërkohet përgjegjësi për shpifjet ose përmbajtjet që bien ndesh me ligjin. Nga ana tjetër, është po aq e rëndësishme që të mbrohet e drejta e qytetarëve për të shprehur mendime kritike, edhe kur ato publikohen në mënyrë anonime, për aq kohë sa respektohen kufijtë ligjorë. Klima aktuale politike në Kosovë tregon se rrjetet sociale janë bërë një hapësirë me ndikim të madh në debatin publik, por edhe një fushë ku përplasjet politike shpesh zhvendosin vëmendjen nga çështjet thelbësore që kërkojnë zgjidhje konkrete”, përfundon Halilaj.
“Problemi ‘Lule Gjeli’”
Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti, thotë se në të gjitha sistemet dhe shoqëritë ka pasur njerëz anonimë.
Sipas tij, ata kanë përdorur anonimitetin për t’i ikur rrezikut, por në ditët e sotme nuk duhet shkuar me linçime dhe propaganda.
“Në të gjitha sistemet dhe shoqëritë ka pasur njerëz me emër të rrejshëm, apo anonim – jo me emër të vërtetë. Të tillët janë marrë zakonisht me shkrime kundër qeverive, kundër pushteteve jo të drejta ndaj popullit. Si shkak i përdorimit të emrit anonim ka qenë për t’i ikur rrezikut nga pushteti që ka qenë në pozitë, sepse në të shumtën e kanë kundërshtuar, ose kanë vënë në pah anomalitë e shtypjet ndaj shoqërisë. Anonimiteti është mbajtur dhe do duhej mbajtur vetëm në kohën sa ishim të pushtuar nga Serbia e më herët edhe nga otomanët. Në kohën e sotme me emër jo të vërtetë, do mund të shkruhej për çështje të ndryshme për t’i treguar pushtetit disa veprime, por ajo nuk shkon me linçime e me propaganda dhe me futjen e urrejtjes mes njerëzve ose pozitë – opozitë. Disi, në një mënyrë të tillë., i drejtuar ndaj një njeriu apo ndaj ndonjë të keqeje, ka vepruar edhe anonimi “Lule Gjeli”, një emër anonim simbolik, duke kombinuar dy fjalë “Lule” dhe “Gjeli”. Ky u aktualizua, kur dikujt, me gjasë, sikur i shkoi kah veshi, anë që pas një kohe bukur të gjatë. Kjo po i vret sidomos njerëzit që ishin në pozitë, në kohën kur ishte shkruar. Kjo u bë më e madhe sesa edhe korrupsioni, i cili nuk ka qenë në rend dite asnjëherë për t’u luftuar, madje, pengohet edhe sot e kësaj dite. “Lule Gjeli” po luftohet ashpër nga opozita. Ajo është e interesuar të dijë sot emrin e mbiemrin e tij të vërtetë.
Tani Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet ndaj profilit ‘Lule Gjeli’”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas Mehmetit, ka njerëz që përmes anonimitetit kanë luftuar padrejtësitë e ndryshme të pushteteve në kohë të ndryshime.
Por, ai kërkon që fokusi mos të largohet nga problemet reale që shqetësojnë qytetarët e Kosovës.
“Unë nuk kam lexuar e hasur shkrimet me emrin “Lule Gjeli”, por sipas shkrimeve janë shantazhuar, janë kërcënuar dhe ka nxitur urrejtjes ndërmjet njerëzve, pozitës e opozitës.
Ne kemi njohur njerëzit me anonimitet jo për të futur urrejtje mes njerëzve, por për të luftuar padrejtësitë e ndryshme të pushteteve në kohë të ndryshme.
Shihet se është bërë një fokusim rreth identitetit të personit “Lule Gjeli”, por ky fokusim nuk duhet të ketë ndikim në largimin e debatit publik për problemet reale që shqetësojnë qytetarët e Kosovës. Këto çështje janë të ndara”, shton opinionisti.
Në fund, ai thotë se këto përplasje nuk kanë ndonjë peshë të madhe, gjersa kërkon që gjërat në politikë të thuhen hapur.
“Fenomeni “Lule Gjeli” si simbol i përplasjes mes propagandës politike dhe lirisë së shprehjes në rrjetet sociale, nuk ka ndonjë peshë të madhe për klimën politike në Kosovë. Jo, sepse, “Lule Gjeli” nuk ka qenë në kuadrin e pozitës. Ndërkaq, është për keqardhje në disa linçime, propaganda e shkrime joadekuate të kohës dhe shoqërisë. Nuk duhet të luftojmë për bashkim, për drejtësi, për punë me ndershmëri. Veset e njerëzve në politikë, duhet t’i themi hapur, jo me emër anonim”, përfundon Mehmeti.
