Çfarë mesazhi dha Saim Tahiraj pas rizgjedhjes së Lumir Abdixhikut?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë sërish besimin e delegatëve të partisë, duke u rikonfirmuar në krye të LDK-së në Kuvendin e Përgjithshëm.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Abdixhiku siguroi vazhdimin e mandatit të tij, ndërsa figura të ndryshme brenda partisë e cilësuan rezultatin si shprehje të demokracisë së brendshme dhe thirrje për unitet e bashkëpunim.
Veprimtari Saim Tahiraj vlerësoi se Kuvendi i LDK-së dëshmoi demokracinë e brendshme të partisë, duke theksuar se procesi u zhvillua sipas Statutit dhe vullnetit të lirë të delegatëve.
Sipas tij, nga ky Kuvend nuk ka fitues apo humbës individualë, pasi fituesja e vetme është Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Kuvendi i LDK-së përfundoi, duke dëshmuar edhe një herë se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet një ndër partitë e rralla ku demokracia e brendshme nuk është vetëm parim, por edhe praktikë. Gara u zhvillua sipas Statutit dhe vullneti i delegatëve u shpreh lirshëm.
Sot nuk ka vend për fitore personale e as për zhgënjim. Nga ky Kuvend nuk ka humbës e fitues individualë. Fituesja e vetme është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai për “Bota sot”.
Tahiraj bëri thirrje për respektimin e vendimit të delegatëve dhe bashkimin e LDK-së pas përfundimit të garës së brendshme.
Ai theksoi se tani prioritet është forcimi i partisë, rikthimi i besimit qytetar dhe bashkëpunimi për t’i shërbyer më mirë Kosovës.
“Vendimi i delegatëve duhet të respektohet nga secili, sepse mbi çdo individ qëndron LDK-ja dhe misioni i saj shtetformues. Garat e brendshme kanë marrë fund. Tani fillon beteja e përbashkët për ta forcuar LDK-në, për ta rikthyer besimin qytetar dhe për ta bërë sërish forcën kryesore politike në vend.
Askush nuk duhet të ndihet i humbur, sepse secili që garoi ose kontribuoi e bëri këtë me bindjen se po i shërben LDK-së. Por, njëkohësisht, askush nuk duhet të sillet me ndjenjën e triumfit apo të superioritetit. Fitorja nuk duhet të krijojë përçarje, por përgjegjësi për të shtrirë dorën e bashkëpunimit. Po ashtu, kontributi dhe angazhimi i atyre që nismuan mbajtjen e këtij Kuvendi duhet të respektohet, sepse pluralizmi i mendimit dhe veprimi statutar janë shenja të një partie demokratike.
Koha kërkon urtësi, maturi dhe bashkim. Të lëmë pas çdo ndarje e keqkuptim dhe të ecim së bashku, të frymëzuar nga vlerat rugoviane, për një LDK më të fortë, më të bashkuar dhe më të gatshme për sfidat që e presin. Vetëm të bashkuar do ta forcojmë LDK-në dhe do t’i shërbejmë më mirë Kosovës”, përfundoi ai.
