TË FUNDIT

Luan Omari u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare

Në Akademinë e Shkencave u organizua sot ceremonia solemne për t’i dhënë lamtumirën akademik Luan Omarit, i cili u nda nga jeta dje në moshën 101 vjeçare.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, zëvendëskryetari Vasil Tole, sekretarja shkencore Anila Hoda, anëtarë të Kryesisë së Akademisë, familjarët, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e akademikut.

Sekretarja shkencore e ASHSH-së, Anila Hoda, mbajti fjalën hapëse të ceremonisë, duke i ftuar fillimisht të pranishmit të mbanin një minutë heshtje në nderim të kujtimit të akademikut të shquar.

Ajo e vlerësoi Luan Omarin si një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave në vitin 1972, personalitet të shquar të mendimit juridik shqiptar dhe profesor që ia kushtoi jetën arsimit, shkencës dhe institucioneve të vendit.

“Hoda vuri në dukje se me ndarjen e tij nga jeta, Akademia humbte të fundit themelues të saj të vitit 1972”, raporton ATSh.

Në fjalën e saj, Anila Hoda theksoi kontributin e çmuar të Omarit si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i Akademisë, si edhe autoritetin, urtësinë dhe kulturën e rrallë njerëzore e profesionale që e karakterizonte.

Ajo kujtoi gjithashtu lidhjen e tij të veçantë me historinë dhe fillesat e Akademisë së Shkencave, si dhe vlerësimin e shprehur ndaj tij në veprimtarinë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

“Trashëgimia e akademikut Omari nuk kufizohej vetëm në veprën e tij shkencore dhe juridike, por jeton edhe sot në brezat e studentëve, studiuesve dhe kolegëve që ai formoi e frymëzoi”, tha sekretarja Hoda.

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, përcolli vlerësime të veçanta për personalitetin e akademikut Luan Omari dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë dhe zhvillimin e mendimit juridik shqiptar.

Rektori Hoxha e cilësoi atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të konstitucionalizmit shqiptar, themelues të shkollës shqiptare të së drejtës dhe formues të brezave të tërë juristësh.

“Më tej ai e vlerësoi Omarin si një shtyllë të dijes shqiptare, i cili, me urtësi, vizion dhe përkushtim, drejtoi për afro tri dekada Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin e lartë shqiptar dhe në formimin e brezave të tërë juristësh”, thuhet në njoftimin e ceremonisë.

Kryetarja e Komisionit të Përhershëm të Shkencave Sociale dhe Juridike pranë ASHSH-së, Aurela Anastasi, e vlerësoi akademik Luan Omarin si një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës juridike shqiptare, të cilës ia kushtoi gjithë jetën me përkushtim e pasion.

Duke e kujtur fillimisht si profesorin e saj në Fakultetin e Drejtësisë, ajo vlerësoi kulturën, urtësinë, korrektësinë dhe përpikërinë që e karakterizonin në auditor, si dhe aftësinë për të përcjellë mendimin juridik përmes analizave të thelluara dhe objektivitetit shkencor.

Anastasi çmoi gjithashtu veprat e botuara pas viteve të 90-ta si një trashëgimi të rëndësishme për studentët dhe pedagogët, ndërkohë që studimet e tij krahasuese mbi format e qeverisjes, shtetin e së drejtës, ndarjen dhe balancën e pushteteve, si dhe sovranitetin shtetëror, kanë hedhur themele të rëndësishme për zhvillimin e së drejtës publike dhe kushtetuese në Shqipëri.

Prof. dr. Ksenofon Krisafi e vlerësoi veprën e Omarit si një pasuri të çmuar të dijes juridike shqiptare dhe personalitetin e tij si pjesë të asaj plejade të ndritur intelektualësh që hodhën themelet e kërkimit shkencor dhe të arsimit të lartë juridik në Shqipëri.

Ai vuri në dukje rigorozitetin shkencor, stilin e zhdërvjelltë, qartësinë e trajtimit dhe vlerën e madhe teorike e praktike të analizave të tij. Gjithashtu, Krisafi vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të akademikut Omari në debatet publike mbi çështjet kushtetuese dhe administrative, duke nënvizuar kontributin e tij në promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut.

Ceremonia solemne u mbyll nga akademiku Kosta Barjaba, i cili e vlerësoi Luan Omarin për kontributet e mëdha në shkencën dhe institucionet shqiptare.

Si ish-student i tij dhe më pas koleg në botën akademike, ai u shpreh se akademiku Omari ishte ndër pedagogët më elokuentë që kishte njohur ndonjëherë.

“Sipas Barjabës, kjo përbën edhe vlerën më të madhe të kontributit të tij në Akademinë e Shkencave dhe në Universitetin e Tiranës”, raporton ATSh.

Në emër të familjes, vajza e të ndjerit, prof. dr. Anila Omari, shprehu mirënjohjen ndaj Akademisë së Shkencave dhe të gjithë atyre që ndanë me familjen dhimbjen e kësaj humbjeje dhe nderuan kujtimin e veprës së akademikut Luan Omari.

Akademiku Luan Omari do të mbahet mend si një nga figurat më të rëndësishme të shkencës juridike shqiptare, me një karrierë që përmbushi gati një shekull jetë dhe kontribuoi në formimin e gjenerata të tëra juristësh dhe shkencëtarësh. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *