“Lëshime për presidentin në këmbim të Speciales?”/ Bytyçi kritikon ashpër PDK-në: Kjo i ngjan një pazari politik
Pas takimit të fundi mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit Albin Kurti, mundësia e një marrëveshjeje mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, por edhe për zgjedhjen e presidentit, ka rikthyer në vëmendje dilemat rreth një bashkëpunimi të mundshëm politik mes dy subjekteve.
PDK-ja ka bërë të ditur se është e gatshme të diskutojë edhe për çështje të tjera me LVV-në, nëse miratohet projektligji për Specialen, ndërsa në takimin Hamza-Kurti është diskutuar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, pa u përmendur emra konkretë.
Por pikërisht mënyrën se si mund të ndërtohet një marrëveshje e tillë e vë në pikëpyetje profesori Enver Bytyçi. Ai kritikon mundësinë që PDK-ja të bëjë lëshime për zgjedhjen e presidentit në këmbim të mbështetjes për ndryshimin e ligjit për Specialen, duke e cilësuar një skenar të tillë si të gabuar dhe të ngjashëm me një pazar politik.
Në një prononcim për “Bota sot”, Bytyçi thotë se, pavarësisht dallimeve politike, në situatën aktuale Kosova ka nevojë për kompromis me opozitën, në mënyrë që të shmanget një tjetër krizë institucionale.
“Në situatën, në të cilën ndodhet Kosova, pra kur atë e kërcënon rreziku i shkuarjes sërishmi në zgjedhje, çdo lloj kompromisi me opozitën është dhe do të ishte i justifikuar. Kam dëgjuar se nëse PDK bën lëshime p.sh. për zgjedhjen e presidentit për shkak të ligjit për Gjykatën Speciale, kjo është e gabuar dhe i ngjan një pazari politik. Mendoj se krijimi i institucioneve është shumë më i rëndësishëm, sesa efekti i një marrëveshjeje konjukturale politike midis mazhorancës dhe opozitës. Sepse nëse Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të reja, kjo do të ishte një goditje e rëndë për vetë fatin e saj, për shtetin dhe konsolidimin e tij, si dhe për imazhin që ajo do të ketë te aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Por shtrohen me të drejtë pyetjet se sa reale është bashkimi i votave për Specialen e më pas edhe për presidentin ose presidenten e Kosovës?! Lëvizja Vetëvendosje nga pikëpamja morale nuk ka asnjë pengesë për të votuar një ligj, me të cilin Gjykata Speciale kthehet në Kosovë. Ajo ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate dhe për pasojë nuk del kundër parimit dhe konsistencës së saj. Për pasojë ajo elektoralisht fiton, nëse i përgjigjet pozitivisht projektit të Partisë Demokratike për korrigjimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.”
Më tej, Bytyçi e lidh interesin e opozitës për ndryshimin e ligjit me zhvillimet e fundit në Hagë, ndërsa thekson se për miratimin e tij nevojitet bashkëpunim edhe me mazhorancën.
“Vetë Partia Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë interes të shtuar pas vendimit të Speciales më 16 shtator për dënimin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kësisoj mund të bëhen deri në 100 vota për ndryshimin e ligjit.
Ndryshimi i ligjit mund të realizohet edhe me 61 vota. Por këto vota nuk i ka opozita. Prandaj ajo ka nevojë për votat e mazhorancës. Ndërkohë mazhoranca ka nevojë për votat e opozitës me qëllim që vendi të bëhet me institucione, përkatësisht që të zgjidhet kreu i shtetit. Në këtë pikëpamje realizohen të dy objektivat. Edhe ligji miratohet, edhe institucionet krijohen. Fiton kësisoj Kosova. Por sa fitojnë katër të dënuarit në Hagë, përkatësisht Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi?”
Gjithashtu, profesoi ngre ndërkohë edhe çështjen e kushtetutshmërisë së ndryshimeve të propozuara, duke paralajmëruar se një vendim i marrë pa ekspertizë juridike mund të përfundojë në një tjetër përplasje institucionale.
“Duhet të jemi të sinqertë, edhe pse partitë politike po luajnë me emocionet e qytetarëve. Ok! Ligji për Specialen do të miratohet. Do të bëhen bashkë të gjithë deputetët shqiptarë dhe ata të minoriteteve jo serbe dhe do të votojnë pro ndryshimeve. Pse nuk flitet për atë se a është në përputhje me Kushtetutën ky ndryshim?! A mos dikush dëshiron të luajë me publikun dhe ta mashtrojë atë?! Nëse ligji nuk do të jetë në përputhje me Kushtetutën, atëherë dikush do të çojë padi në Kushtetuese. Pas padisë vjen vendimi i saj. Dhe nëse Kushtetuesja e rrëzon ligjin, ai bëhet nul. Për ta çuar në Kushtetuese një ligj të tillë është e gatshme Lista Srpska, në mos edhe ndonjë subjekt tjetër. Dhe nëse ligji miratohet dhe më pas rrëzohet, çfarë vlere ka gjithë ky investim politik në këto momente të rënda për Kosovën?”
ImageProf. Dr. Enver BytyçiFoto galeri
Ai kërkon që para miratimit të ndryshimeve të bëhet një konsultim i gjerë me ekspertë të së drejtës dhe të shmanget çdo veprim i nxituar.
Foto galeri
“Sigurisht që e mira është që çështja e ligjit të konsultohet me juristë dhe konstitucionalistë të njohur e të aftë. Më pas të veprohet me pjekuri dhe mençuri, pa ngutje dhe pa rrezikuar kthimin në pikën zero. Por shoh se opozita dëshiron që ligji të kalojë në parlament para se të skadojë afati i zgjedhjes së presidentit. Ndoshta ka mosbesim te partneri i marrëveshjes. Por e theksoj, Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk kanë asnjë arsye të mos e mbështesin një ligj që nuk cenon Kushtetutën. Sigurisht që mazhoranca do ta marrë përgjegjësinë para ndërkombëtarëve, sidomos Këshillit të Evropës. Por gjithsesi, në elektorat ajo nuk humbet.”
Sipas Bytyçit, zgjedhja e presidentit mbetet çështja më urgjente dhe duhet të jetë në qendër të çdo dakordimi politik.
“Vlerësoj se emergjente është zgjedhja e presidentit/es. Prandaj marrëveshja duhet konkretizuar së pari me këtë vendim të përbashkët. Koha po kalon dhe askush nuk e di nëse kreu i shtetit do të betohet para datës 6 tetor ose jo. Kjo është çështja themelore në Kosovë. Ndërkohë që vendimi për ligjin mbi Specialen duhet konsultuar gjerësisht e të ketë një ekspertizë kushtetuese. E di se miratimi i këtij ligji, edhe sikur të jetë i mbështetur në ligjin themelor të shtetit, do të shkaktojë reagim të ashpër veçmas në Bashkimin Evropian. Në këtë rast opozita nuk do t’i bashkohet korit evropian për anti-evropianizmin e Albin Kurtit. Por Kosova do të ketë dëm serioz nga kjo. Së paku do të shtyhet koha e marrjes së statusit kandidat.”
Në fund, profesori thekson nevojën për konsultim me faktorët evropianë, duke e lidhur këtë edhe me pasojat që mund të ketë ndryshimi i ligjit për raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Një ligj për Specialen, pra, kërkon edhe një konsultim të gjerë me faktorin BE. Sa më shumë mirëkuptim nga aktorët e Bashkimit Evropian, aq më të vogla pasojat e ndryshimit të ligjit. Diplomacia e Kosovës duhet të operojë në këtë drejtim. Edhe për shkak të nevojës për konsultim me faktorin evropian e bën të domosdoshme zgjatjen e kohës për miratimin e këtij ligji. Ndoshta rekomandohen retushime të tij.
Por e përsëris. Emergjente është që Kosova të ketë institucione. Nëse mungon besimi, Kosova nuk do të ketë as institucione, as ligj të ri për Gjykatën Speciale. Nëse nuk ka ligj për gjykatën speciale, atëherë duhet të bëhen gati edhe nja dyfishi i atyre që janë në Hagë për të shkuar në qelitë e saj. Kush është i gatshëm të provojë Hagën, le të mos votojë institucionet e shtetit! Për vete e kanë!”
