PARTI DEMOKRATIKE, KUSH TË BLEU DHE SA IU SHITE?!
Protestat studentore dhe të rinisë shqiptare në Tiranë ose do ta pastrojnë vendin nga plehu politik i më shumë se tri dekadave, që e ka kalbur dhe qelbur Shqipërinë, ose do të dëshmojnë se nga kullosa e keqe komuniste dhe neokomuniste, që e ka mbuluar mëmëdheun tonë, nuk ka ku të mbillet fara e demokracisë.
Dhe është e vërtetë se Piktori dhe ‘Rilindja’ e tij janë fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur ndonjëherë mëmëdheut tonë, njësoj siç është e vërtetë se Doktori i partizoi institucionet shtetërore, por kurrë nuk lejoi që ato të binin në duart e kriminelëve dhe që Shqipëria të bëhej narko-shtet.
Gjithashtu, është e vërtetë se, duke brohoritur ‘Piktori në burg – Doktori në burg’, protestuesit mbase nuk i barazojnë të këqijat që këta të dy i kanë sjellë Shqipërisë, por, pa dyshim, ua bëjnë me dije se duan t’i japin fund epokës së neokomunizmit dhe kërkojnë pastrimin e plotë të vendit nga plehu politik i katër dekadave të fundit.
Dhe nëse Piktori ka zgjedhur të plaket e të vdesë me fytyrën e turpit dhe të tradhtarit, nëse ai nuk mund të japë dorëheqjen, sepse këtë nuk ia lejon dhe nuk ia miraton narko-mafia dhe ‘Aleanca e Qelbësirave’, Doktori kishte mundësi të dilte përpara rinisë që proteston dhe t’u thoshte: ‘Ju, pa të drejtë, më barazoni me kryeqelbësirën, por, megjithatë, unë do të tërhiqem dhe do t’jua lehtësoj rrugëtimin drejt rrëzimit të tij!’.
Por ai nuk e bëri këtë, duke ia nënshkruar, në njëfarë mënyre, vetes fatin që të mos mund ta ndash atë nga fatkeqësia e sotme që po përjeton Shqipëria dhe ta kesh të pamunudr të besosh se një politikan me përvojpn e tij politike nuk e dine se, duke i përkrahur protestuesit dhe duke i thirrur deputetët e PD-së të dalin në protesta, në të vërtetë i dobëson ato dhe e forcon Piktorin.
Ku ta dish, mbase ai nuk tërhiqet edhe sepse këtë nuk ia lejojnë ata ‘Nokat’, ‘Jozefinat’, ‘Shehajt’… , që pasurohen si atëherë kur PD-ja është në qeveri, ashtu edhe kur është në opozitë, e të cilët të vetmen vlerë e kanë mburojën e Doktorit.
Sa i përket pyetjes së protestuesve: ‘Parti Demokratike, kush të bleu dhe sa iu shite?’, përgjigjja është shumë e thjeshtë: atë e ‘blenë’ dhe e shndërruan në pronë të tyren të gjithë besnikët e përjetshëm të Doktorit, të gjithë ata që pretendojnë se i ‘shërbejnë’ PD-së dhe popullit, por që, në të vërtetë, mbushin xhepat e tyre.
Dhe, sado që tingëllon perverse, nuk është larg së vërtetës pohimi se ‘pronarëve’ të këtillë të PD-së nuk u shkon për shtati rënia e Piktorit, sepse vetëm duke e krahasuar veten me të, ata mund të duken si një fatkeqësi më e përballueshme për Shqipërinë.
Pra sido që të tingëllojë, shumë nga ‘pronarët’ e PD’së nuk e duan rënien e Piktorit, SEPSE PA TË DO TË MBETESHIN LAKURIQ dhe andaj, përderisa RINIA KËRKON NDRYSHIM, ATA KËRKOJNË SHPËTIM PËR VETVETEN! (Kim Mehmeti)
