Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për nëpunësit administrativë në RMV
Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Nëpunësit Administrativë në një procedurë të shkurtuar.
Me 65 vota "pro" dhe vetëm një "kundër", zgjidhja e re ligjore u miratua pa mbështetjen e deputetëve të opozitës. Ndryshimet e propozuara kanë shkaktuar pikëpamje krejtësisht të kundërta në legjislaturë.
Sipas grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, këto ndryshime duhet të sjellin pavarësi më të madhe në punën e përditshme të shërbimeve administrative.
Siç shpjeguan ata, kjo pavarësi do të përfshijë shërbimin parlamentar, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë së Doganave, si dhe gjykatat, prokuroritë dhe institucionin e Avokatit të Popullit.
Në të kundërt, deputetët e LSDM-së kanë bërë kritika dhe vërejtje serioze, veçanërisht në pjesën që rregullon statusin e shërbimit parlamentar. Ata besojnë se me zbatimin e këtyre zgjidhjeve ligjore, ky shërbim do ta humbasë plotësisht pavarësinë e tij të mëparshme.
Përndryshe Ligji bazë për Nëpunësit Administrativë u miratua në korrik 2025. Ai rregullon aspekte kyçe për administratorët, duke përfshirë klasifikimin e vendeve të punës, procedurat e rekrutimit, ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe statusin e tyre të përgjithshëm. Ndërhyrjet e fundit të votuara në Kuvend lidhen konkretisht me nenin 8, paragrafin 4, si dhe nenin 35 të Ligjit./Telegrafi/
