Pesë ditë protesta kundër Ramës, Tirana përfshihet nga dhuna – Uashingtoni ngre alarmin
Protesta e pestë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Tiranë është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, zjarre dhe dëme të shumta materiale në disa zona të kryeqytetit.
Protestuesit kanë dalë sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës, ndërsa tensionet kanë vazhduar për orë të tëra, nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të Tiranës.
Sipas të dhënave të raportuara, nga protestat e së shtunës janë lënduar 34 persona, prej tyre 21 zyrtarë policorë dhe 13 protestues.
Tubimi nisi rreth orës 11:00 para Ministrisë së Arsimit. Pas disa orësh, situata u tensionua, ndërsa protestuesit dogjën kosha të mbeturinave, shkulën kangjella të trotuarit dhe hodhën gurë e sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë.
Për shpërndarjen e turmës, policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku përplasjet vazhduan me hedhjen e molotovëve, gurëve dhe mjeteve piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Gjatë incidenteve, një automjet u përfshi nga flakët, ndërsa në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit.
Pas disa orësh tensionesh, policia nisi një operacion për largimin e protestuesve nga zona para Kryeministrisë. Në aksion u angazhuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të strukturave Operacionale, të cilët përdorën katër autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës dhe lirimin e bulevardit.
Gjatë ndërhyrjes nisën edhe shoqërimet e para të protestuesve.
Incidentet vazhduan edhe pas largimit të protestuesve nga bulevardi. Molotovë u hodhën drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke shkaktuar zjarr në hyrje të institucionit.
Zjarre u raportuan edhe në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën përreth.
Më vonë, protestuesit u shpërndanë në rrugë të tjera të kryeqytetit, ku u dëmtuan kioska dhe tabela sinjalistike, si dhe u dogjën kazanë të mbeturinave.
Për pasojë, në disa zona u shkaktuan dëme materiale në pronën publike dhe private, ndërsa policia vazhdoi ndërhyrjet për menaxhimin e situatës.
Në terren, para Kryeministrisë, ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet dhe operacionin për shpërndarjen e protestuesve.
Kryeministri Edi Rama deri më tani ka refuzuar thirrjet për dorëheqje, ndërsa ka deklaruar se aktet e dhunës nuk vijnë nga studentët.
Reagimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Përshkallëzimi i protestave në Shqipëri ka nxitur reagime edhe nga zyrtarë amerikanë, të cilët kanë shprehur shqetësim për situatën dhe kanë kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.
Kongresisti amerikan Joe Wilson ka thënë se po e përcjell me shqetësim krizën në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë që të përmbahet nga dhuna ndaj protestuesve.
“Po e përcjell me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, anëtare e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Wilson në rrjetin social X.
Edhe kongresisti amerikan Robert Aderholt ka shprehur shqetësim për trazirat, duke kërkuar respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të protestuesve paqësorë.
“Jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për t’i shprehur mendimet e tij. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë e Shqipërisë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, ka shkruar Aderholt.
Ndërkaq, kongresisti Keith Self i ka cilësuar protestat si pasojë të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësisë për mosrespektimin e sundimit të ligjit.
“Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Self ka shtuar se udhëheqësit shqiptarë duhet t’i dëgjojnë kërkesat për ndryshime thelbësore, të cilat, sipas tij, duhet të krijojnë mundësi ekonomike dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve që protestojnë të veprojnë në mënyrë paqësore dhe të shmangin aktet e dhunës.
Përmes një reagimi në Facebook, ambasada ka theksuar se dhuna, trazirat, lëndimi fizik i personave të tjerë dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme”, thuhet në reagim.
Ambasada amerikane u ka bërë thirrje gjithashtu të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi, në një kohë kur tensionet në Shqipëri janë përshkallëzuar.
Cilat janë kërkesat e protestuesve?
Studentët thonë se po protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.
Atyre u janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme. Në shenjë pakënaqësie, mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.
Protestuesit shprehen të zemëruar edhe për planet që lidhen me zhvillimin e zonave të bregdetit shqiptar, përfshirë projektin për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Protestat kanë vijuar për pesë ditë radhazi, ndërsa përplasjet e fundit kanë shënuar një përshkallëzim të situatës, me të lënduar, dëme materiale dhe reagime nga zyrtarë amerikanë./ Telegrafi /
