TË FUNDIT

Kurti: Pavarësia ekonomike e grave është kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës

Përfaqësues institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë vlerësuan se fuqizimi ekonomik i grave mbetet një nga faktorët kyç për zhvillimin e Kosovës, derisa theksuan se, pavarësisht progresit të shënuar, gratë vazhdojnë të përballen me pengesa në qasjen në financa, pronë dhe tregun e punës, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën “She Rises 2026”, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) me moton “Gratë në Biznes në Kosovë – një dekadë progres dhe vizion për të ardhmen”, u tha se rritja e pjesëmarrjes së grave në ekonomi është e domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrues të vendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se gratë po luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe se pavarësia e tyre ekonomike është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.

“Sa herë që mblidhen gratë në një vend, aty mblidhen edhe ide, nevoja, ambicie dhe histori të cilat meritojnë të dëgjohen. Sot në këtë sallë janë gra që kanë vendosur të krijojnë mundësi, aty ku shpesh kanë ekzistuar pengesa, gra që kanë zgjedhur të ndërtojnë, të investojnë dhe të udhëheqin. Prania juaj këtu është dëshmi e një ndryshimi të rëndësishëm që po ndodh në ekonominë e vendit tonë. Çdo biznes që ju drejtoni, çdo vend pune që ju krijoni, dhe çdo sfidë që tejkaloni, kontribon në ndërtimin e një ekonomie më të fortë”, tha Kurti.

Ai tha se progresi i grave në politikë duhet të pasohet me përparim të ngjashëm edhe në ekonomi dhe ndërmarrësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *