TË FUNDIT

“Kosova dhe Shqipëria në një pikë kthese?”/ Xhevat Mustafa flet për zhvillimet politike dhe paralajmëron për rreziqet

Kosova dhe Shqipëria po përballen me zhvillime të ndjeshme politike, ndërsa protestat, krizat institucionale dhe përplasjet mes forcave politike kanë rikthyer në vëmendje çështjen e stabilitetit dhe të funksionimit demokratik të institucioneve.

Në një intervistë për “Bota sot”, publicisti dhe ish-diplomati i karrierës, Xhevat Mustafa, analizoi zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, duke u ndalur te protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, roli i institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, si dhe zhvillimet në Kosovë pas vendimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Mustafa vlerëson se protestat në Shqipëri kanë humbur një pjesë të fuqisë së tyre mobilizuese dhe kërkon ndryshim të strategjisë së opozitës dhe organizatorëve. Ai e sheh drejtësinë, veçanërisht SPAK-un dhe GJKKO-në, si një faktor të rëndësishëm në zhvillimet e mëtejshme politike në Shqipëri.

Duke komentuar situatën në Kosovë, Mustafa paralajmëron për thellimin e polarizimit politik dhe për pasojat që, sipas tij, mund të sjellin përçarjet e brendshme në një periudhë të ndjeshme për vendin. Ai flet edhe për protestat pas dënimit të ish-drejtuesve të UÇK-së, qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti ndaj procesit të apelit dhe ndikimin që, sipas tij, mund të ketë Serbia në zhvillimet politike në Kosovë.

Në këtë intervistë, Mustafa ndalet edhe te ngjashmëritë dhe dallimet mes situatës politike në Kosovë dhe Shqipëri, duke dhënë vlerësimet e tij për zhvillimet e fundit dhe skenarët që mund të shfaqen në të ardhmen.

Intervista e plotë:

Xhevat Mustafa: Nuk ndjej aspak kënaqësi që edhe pas 115 ditë apo afro 4 muaj protestash kundër qeverisë së Edi Ramës koha dhe zhvillimet në sheshin e protestave, koha ka vërtetuar shumicën e parashikimeve dhe të paralajmërimeve të mia, shprehur qysh me fillimin e tyre edhe në gazetën tuaj e timen, kombëtaren dhe prestigjiozen “BOTA SOT! Pas kaq ditë protestash në Tiranë e në Diasporë, me pjesëmarrje masive, nuk është fare e vështirë të kuptohet se Edi Rama me bandën e tij politike dhe qeveritare, me ushtritë partiake dhe patronazhiste, është akoma në pushtet. Për më keq, duke i sfiduar protestuesist me akte dhune nga policia e tij si dhe me shurdhëri ndaj kërkesave të tyre si njerëz, si shqiptarë, si qytetarë, si familjarë…, duke mos pranuar dorëheqjen e tij të merituar e të vonuar prej të paktën 10 vitesh! Është kuptuar se Rama dhe strukurat e tij partiake dhe qeverisëse kanë interes që protestat të zgjasin rreth 600 ditë e më shumë, si protestat e studentëve në Novisad e Beograd në Serbi, kundër Aleksandar Vuçiçit, prej të cilave ai nuk ka shprehur as tmerr e as kthesë të fortë në bindje e veprime…, por ka premtuar vetëm ndërrimin e fronit nga president në kryeministër!

“Bota sot”: A është zbehur protesta si mjet presioni apo kemi një formë të re mobilizimi qytetar?

Xhevat Mustafa: Nuk ndjehem mirë kur kam parë se protestat kanë ardhur duke u mpakur e zbehur. Prandaj, jo vetëm “shtabit” të ushtrisë së protestuesve, por edhe shumicës së SHQIPTARËVE, duhet tu jetë krijuar bindja se Edi Rama, me çeta apo banda shumë flamurësh, nuk ikën vullnetarisht vetëm me protesta krejt paqësore! Atyre u del për detyrë të mendojnë dhe bëjnë shpejt ndryshime të ndjeshme përtëritëse në kryesinë, platformën, strategjinë, objektivat, formën e protestave të tyre! Kjo do t’u kërkojë edhe që të flakin ambiciet për protagonizëm individual, paramendimin apo parallogarinë e pjesëmarrjes në protesta prej disave, sidomos mes krerëve dhe mikrofonistëve, që “kur të bëhet deti kos, të kapim ndonjë tender, leje ndërtimi, post…! Kam bindjen në përforcim të vazhdueshëm se Edi Ramën mund ta shqetësojnë, trondisin seriozisht e ta rrëzojnë vetëm hetimet, veprimet dhe vendimet e SPAK, GJKKO, GJYKATËS KUSHTETUESE, GJYKATËS SË LARTË…, nëse këto institucione do të ndërgjegjësohen dhe do të veprojnë me pavarësi të plotë, me profesionalizëm dhe kurajë, sipas ligjeve dhe KUSHTETUTËS! Arrestimet e Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Vlora Hysenit…, disa nga duart apo tentakulet e shumta të oktapodit Rama, japin mesazhe optimizmi dhe shprese se fundi i tij nuk do të jetë i largët. Kuptohet, paradoksalisht, i shkaktuar më tepër nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Berna, Viena… se sa nga sheshet dhe rrugët e protestave në Tiranë!?

“Bota sot”: Çfarë sinjali jep kërkesa e SPAK për “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra të drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni? Si po ndikon kjo në marrëdhënien Rama–SPAK?

Xhevat Mustafa: Arrestimi i Vlora Hysenit, në të njejtën kohë kur Rama ishte në SHBA e në Tiranë erdhën zyrtarë dhe ekspertë të sigurisë të FBI-së, mbart edhe mesazhin se SPAK, i shtyrë nga miqtë apo eprorët amerikanë, nuk e ka parë të nevojshme ta lajmërojë kryeministrin apo të marrë leje prej tij! Ky akt mund të interpretohet në mënyrë figurative edhe si këmbanë alarmi për Edi Ramën, për veprime të tjera nga SPAK pa dijeninë dhe lejen e tij…

“Bota sot”: Kalojmë te Kosova. Si e komentoni reagimin qytetar pas dënimit të ish-drejtuesve të UÇK-së? Ngjashmëri jo e rastësishme dhe tejet e rrezikshme nga situatat politike në Shqipëri e në Kosovë…

Xhevat Mustafa: Më vjen keq që si popull nuk arrijmë të kuptojnë seriozitetin e situatave e të rrezikshmërisë së tyre kombëtare! Kjo duket se nuk na lejon të gjejmë edhe rrugët, format, mënyrat më efikase për t’iu shmangur të këqijave. Në këtë kohë edhe Kosova, edhe Shqipëria kanë nevojë për strategji më të zgjuara e më me perspektivë suksesi!

Mitingjet apo protestat, paqësore e më radikale apo ca të dhunshme, më shumë na konsumojnë se sa na afrojnë drejt suksesit dhe fitores. Këshillat dashamirëse nga qeveri e personalitete ndërkomtare si dhe nga figura intelektuale elitare shqiptare, nuk mungojnë. Por, disa “liderë populistë”, “atdhetarë të rrejshëm”, të fjalëve e parrullave, më shumë me lidhje dhe qëllime të dyshimta, “peshkatarë” për përfitime personale, familjare, partiake në situata të turbullta e të rrezikshme, apo më troç e më shqip, përfitues në kohë trazirash, kanë dalë në krye e po i shtyjnë turmat e popullit jo në rrugën e suksesit, por të konsumimit si kohë, energji e të vënies në dyshim të sinqeritetit, dobishmërisë dhe perspektivës pozitive të qëllimeve, kërkesave, objektivave e të rezultateve… !

Krerët e protestave në Kosovë gabojnë edhe më tepër, kur i shtojnë listës me kërkesa ndaj Hagës edhe dorëheqjen e Donika Gërvallës. Kam bindjen se kërkesa për shkarkimin e Ministres së Drejtësisë së Qeverisë së LVV-Albin Kurtit, Zonjës së nderuar, Donika Gërvalla, lidhet me rrezikun që u vjen prej saj autorëve të kësaj kërkese, nga jetësimi i komisionit të verifikimit të pasurive sheikore, me saraje 20- 50 hektarësh e shumë vila brenda hapësirave rrethuar me mure të lartë, nga disa krerë të UÇK e të qeverisjes nga vitet 2000- 2020!

“Bota sot”: A rrezikon vendimi të thellojë ndarjet në shoqërinë në Kosovë?

Xhevat Mustafa: Duke pasur ndërmend apo parasysh agresivitetin e Rusisë, edhe ndaj disa vendeve të mëdha të NATO-s e BE-së, si Polonia, Anglia, Franca, Gjermania, Suedia…, nuk kërkohet vramendje se kjo politikë provokuese dhe e rrezikshme e saj, ka trimëruar edhe Serbinë… Kjo u shpreh edhe më qartë, më masivisht, më kërcënueshëm e më frikshëm, thuajse në nivel kombëtar e shtetëror në ceremonitë e varrimit të kriminelit monstruoz, njërit prej autorëve kryesorë të Masakrës së Srebenicës në Bosnje e jo vetëm këtu, antishqiptarit të tërbuar jo më pak se Milosheviçi dhe Vuçiçi me çiça të tjerë, Ratko Malladiç. Shqiptarët në Kosovë, si shumicë populli, si partira, si pozitë dhe opozitë, si shtet e si qeveri, si organizata dhe shoqata…, bëjnë mirë të kuptojnë dhe ndërgjegjësohen se qeveritë e Serbisë nuk janë kursyer e nuk do të kursehen për të investuar qindra miliona të tjerë euro apo dollarë, për të rritur flakët dhe kohëzgjatjen e tyre për përçarjen, destabilizimin, krizat politike, qeverisëse, presidenciale në Kosovë. Sepse e kuptojnë mirë se kështu thellojnë edhe ndarjet, grindjet, sherret shumëformëshe grupore, partiake, politike, sociale mes shqiptarëve.

“Bota sot”: Si e shihni qëndrimin e Kurtit ndaj vendimit dhe thirrjen për apel?

Xhevat Mustafa: Korrekt! Më parë se prej KRYEMINISTRI, prej SHQIPTARI, prej ish PJESËTARI të UÇK-së! Por, gabimisht e me tendencë të qartë politizimi, sipas Gucatit dhe disa drejtuesve të PDK-së, lobimi i kryeministrit Albin Kurti në New York, gjatë këtyre ditëve gjatë punimeve në OKB, motivuar më shumë si SHQIPTAR, nga vitet e angazhimit në UÇK e nga lidhja shpirtërore me atë, nga mos shikimi dhe mos trajtimi i katër të dënuarve si “armiq”, por thjeshtë si kundërshtarë në bindjet dhe pozicionimet politike, nuk i quhet angazhim i sinqertë ndërkombëtar në favor të “viktimave” të Hagës! Çfarë do të duhej të bënte më tepër Albin Kurti?

“Bota sot”: A po hyn Kosova në një fazë të re polarizimi politik?

Xhevat Mustafa: Fatkeqësisht, po. Më e keqja, si në shumicën e rasteve e periudhave kohore, me mendje, veprime të nxituara apo të pamenduara me gjakftohtësi dhe me afër e largpamësi po nga disa liderë politikë, parti shqiptare dhe grupe parlamentare të tyre. Edhe më keq, duke rënduar dhe zgjatur krizën politike, sidomos atë presidenciale, duke mos menduar apo duke mos u shqetësuar seriozisht, se kështu më tepër se sa dëmtojnë LVV dhe Albin Kurtin, çojnë ujë më shumë drejt Savës dhe Danubit, domethënë në mullinjtë e Beogradit qeveritar e shtetëror. Merret me mend se kështu lumturojnë Vuçiçin, Vulinin, Daçiçin, Brnabiçin, Gjuriçin…

Me dashamirësi të sinqertë do tu kujtoja liderëve dhe deputetëve të partive shqiptare, së pari atyre të opozitës, se votuesit, në pakësim nga zgjedhja në zgjedhje, mes 40-50%, se anëtarësia dhe elektoratet e tyre nuk i kanë votue as me dëmtue interesat politike dhe elektorale të tyre, as me shkatërrue normalitetin e funksionimit të qeverisjes dhe shtetit të Kosovës, siç dëshirojnë dhe financojnë bujarisht qeveria dhe shteti i Serbisë edhe në Prishtinë, edhe brenda parlamentit të Kosovës.

“Bota sot”: Cili do të ishte mesazhi juaj për politikën dhe shoqërinë e Kosovës në këtë moment?

Xhevat Mustafa: Të mendojnë së pari e më shumë si SHQIPTARË se sa si partiakë. Të mos i shohin kundërshtarët politikë shqiptarë si armiq, por si misionarë të besimit, mbështetjes dhe votës së shumicës së popullit të Kosovës, si bashkëpunëtorë për të punua me mish e me shpirt, me mendje dhe përgjegjshmëri për të konsoliduar, modernizuar, fuqizuar, prosperitetizuar shtetin e pavarur të Kosovës dhe për të rritur pareshtur nivelet e të ardhurave mujore e të mirëqenies të popullit. Të mos i shikojnë mandatet dhe postet si burime të pashtershme për përfitime sa më të mëdha personale, familjare, klanore, partiake…! Së fundmi: të mos mendojnë se janë të pagabueshëm, të pakritikueshëm, të pandëshkueshëm…, të pazëvendësueshëm! Edhe që të mos e kuptojnë dhe përjetojnë rrotacionin politik, humbjen e përkohshme të pushtetit dhe qeverisjes, 1, 2, 3 mandate si gjëmë e kiamet, sidomos për vete!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *