POLITIKATË FUNDIT

PDK në Gjilan kërkon llogaridhënie për transferimin e afro 500 mijë eurove për paga dhe shtesa

Asamblisti i PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ka kërkuar sqarime të detajuara lidhur me propozimin për transferimin e 497,972.10 eurove nga një nënprogram buxhetor në tjetrin, në kategorinë e pagave dhe shtesave.

Nevzati, në emër të Grupit të Asamblistëve të PDK-së, ka bërë të ditur se ky grup do ta mbështesë transferimin vetëm mbi bazën e arsyetimit se mjetet janë të domosdoshme për pagesën e pagave të punëtorëve komunalë për muajin nëntor 2026.

Megjithatë, ai ka kërkuar transparencë dhe sqarime të plota për mënyrën se si është menaxhuar buxheti komunal, duke theksuar se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme të parasë publike.

Sipas dokumentacionit të paraqitur, mungesat buxhetore janë evidentuar në disa nënprograme, ku pjesën më të madhe e përbën arsimi fillor me 281,035.70 euro, pasuar nga shërbimet shëndetësore primare me 151,723.12 euro.

Mungesa të tjera janë paraqitur në Zyrën e Kuvendit Komunal, në vlerë prej 41,118.97 eurosh, te zjarrfikësit dhe inspektimet prej 22,104.95 eurosh, si dhe në planifikimin dhe zhvillimin ekonomik prej 1,989.36 eurosh.

Në total, mungesa e paraqitur arrin në 497,972.10 euro, ndërsa mjetet propozohet të sigurohen nga nënprogramet që kanë suficit buxhetor.

Nevzati ka kërkuar nga ekzekutivi komunal një raport të detajuar për secilin nënprogram, përfshirë numrin e punëtorëve të punësuar, vendet e plotësuara dhe ato vakante, si dhe arsyet pse disa drejtori kanë mjete të tepërta, ndërsa të tjerat përballen me mungesa të konsiderueshme.

Vëmendje të veçantë ai i ka kushtuar arsimit fillor, ku ka kërkuar sqarime se si është krijuar mungesa prej më shumë se 281 mijë eurosh dhe nëse kjo është pasojë e planifikimit të gabuar buxhetor, punësimeve të reja apo rritjes së numrit të punonjësve.

Ai ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e lëndëve djegëse në shkollat e komunës, duke vënë në pikëpyetje prioritetet e menaxhimit të mjeteve buxhetore.

Sa i përket shëndetësisë primare, Nevzati ka kërkuar shpjegime për mungesën prej 151,723.12 eurosh, duke e ndërlidhur këtë çështje edhe me mbylljen e ambulancës në Kishnapolë ditë më parë.

Ai ka kërkuar të sqarohet nëse mungesa e mjeteve në këtë sektor lidhet me numrin e punëtorëve, punësimet e bëra gjatë vitit apo me planifikimin jo të duhur financiar.

Një tjetër çështje e ngritur nga asamblisti i PDK-së është koha e kërkesës për transferim, përkatësisht muaji nëntor. Sipas tij, duhet të sqarohet nëse kjo situatë ka ardhur si pasojë e planifikimit të dobët buxhetor në fillim të vitit apo e ndryshimeve të bëra gjatë vitit.

Po ashtu, ai ka kërkuar garanci se marrja e mjeteve nga drejtoritë që paraqesin suficit nuk do të ndikojë në funksionimin e tyre dhe në përmbushjen e obligimeve deri në fund të vitit.

Në fund, Nevzati ka theksuar se PDK-ja nuk është kundër sigurimit të pagave për punëtorët komunalë, pasi ato janë obligim institucional, por ka nënvizuar se mbështetja për transferimin e mjeteve duhet të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie për menaxhimin e parasë publike. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *