TË FUNDIT

Kontrabanda e gazeve ftohëse: Përmes Serbisë, drejt Bashkimit Evropian

BIRN, në bashkëpunim me Voxeurop dhe “Investigative Reporting Project Italy” (IRPI), ka gjurmuar për muaj të tërë tregtinë e paligjshme të gazeve ftohëse të dëmshme, duke filluar nga tregtarët kinezë në internet, përmes Serbisë, e deri në Bashkimin Evropian.

Gazrat ftohëse përdoren në pajisjet e kondicionimit, frigoriferë, sisteme ftohëse dhe pompa nxehtësie, por kontribuojnë në efektin serrë dhe në nxitjen e ndryshimeve klimatike.

Tregtari nga Bullgaria: “Gjithçka vjen nga Serbia”

Tregtia në tregun e zi zbulohet t qysh në kontaktet e para. Një tregtar me bazë në Bullgari, i reklamuar në “Facebook Marketplace”, kur u pyet nëse mund të eksportonte në Serbi, u përgjigj: “Njerëzit blejnë nga Serbia. Atje ka më shumë.” Për ta theksuar, ai shtoi: “Gjithçka vjen nga Serbia.”

Ideja fillestare e hetimit ishte testimi i gatishmërisë së tregtarëve për të eksportuar në Serbi, por bisedat zbuluan një prirje tjetër: tregtarët kërkonin të siguronin gaze ftohëse nga Serbia për t’i shitur më pas diku tjetër.

Serbia: nyje kyçe e tregut të zi

Organizata “Environmental Investigation Agency” (EIA) e ka identifikuar prej vitesh Serbinë si një nyje kyçe në tregun e zi të gazeve ftohëse. Siç tregojnë të dhënat doganore, për shkak të pozicionit gjeografik dhe zbatimit më të dobët të rregulloreve, Serbia shërben si pikë hyrëse për gazet ftohëse dhe shpërndarjen e tyre të mëtejshme.

Në Serbi operon një numër i madh teknikësh të paregjistruar, teknikë kondicionerësh, mekanikë makinash dhe teknikë frigoriferësh – të cilët sipas ligjit pa regjistrim nuk mund t’i blejnë ligjërisht këto gaze, ndaj i drejtohen tregut të paligjshëm. Reklama të tilla gjenden në Serbi, Bosnje – Hercegovinë, Kroaci, Shqipëri, Rumani dhe Bullgari.

“Serbia është potencialisht një vatër kritike,” tha Fionnuala Walravens, drejtuese e fushatës për gazrat e paligjshëm ftohëse, pranë EIA-s. Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit e Serbisë nuk u përgjigj kërkesës për intervistë.

Miliona nga Fondi i Montrealit, por pa ulje të konsumit

Serbia ka përfituar miliona dollarë nga Fondi Shumëpalësh për Zbatimin e Protokollit të Montrealit, mekanizëm i krijuar më 1990 për të ndihmuar vendet në zhvillim të heqin gradualisht substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit, përfshirë hidrofluorokarburet (HFC). Edhe pse është nënshkruese e Protokollit dhe e Amendamentit të Kigalit, Serbia ende nuk disponon infrastrukturë për ruajtjen, riciklimin ose asgjësimin e gazeve ftohëse.

Kuotat e fundit të importit nuk tregojnë asnjë shenjë uljeje, detyrimet për raportimin e konsumit nuk përmbushen, ndërsa mirëmbajtja neglizhohet.

Nxitja për kontrabandë është e madhe: sipas EIA-s, çmimi ligjor i gazeve ftohëse në Evropë është rritur me rreth 1000 për qind gjatë dekadës së fundit.

“Krimet mjedisore ende nuk trajtohen në të njëjtin nivel me llojet e tjera të krimit: kriminelët mund të realizojnë fitime të mëdha me pak gjasa për t’u kapur, madje edhe kur kapen, dënimet janë shpesh minimale,” tha Walravens.

Konfiskime në kufij të BE-së

Të dhënat e doganave bullgare tregojnë për incidente të shpeshta të kontrabandës nga Serbia drejt Bullgarisë e më gjerë në BE, përmes pikave kufitare Gradina, Kalotina dhe Vrska Cuka. Që nga viti 2017, autoritetet bullgare kanë sekuestruar qindra cilindra të padeklaruar ose të deklaruar rrejshëm, si dhe tonë të tëra HFC të fshehura në një kamion që zyrtarisht transportonte tekstile.

Vitin e kaluar rojet kufitare rumune zbuluan 13 cilindra të padeklaruar në një automjet me targa serbe, ndërsa më 2018 doganierët gjermanë gjetën në Bavari dhjetë cilindra njëpërdorimësh R134a me shenja kineze dhe serbe, pa dëshmi origjine apo dokumentacion doganor.

Në gusht të këtij viti, autoritetet kroate akuzuan pesë shtetas kroatë e serbë për transport të paligjshëm të mbi 700 cilindrave të mbushur nga Serbia drejt një magazine në Zagreb, prej nga i shitën te klientët, duke arkëtuar të paktën 145,000 euro.

“Kroacia është pjesë e tregut evropian dhe ka çmime evropiane, gjë që e bën këtë veprimtari fitimprurëse për kontrabandistët,” tha Slobodan Pejkoviç, kryetar i Komitetit për Teknologjinë e Ftohjes pranë Shoqatës Serbe për Ngrohje, Ventilim dhe Ajër të Kondicionuar (KGH).

Kur u kontaktuan, disa tregtarë serbë pranuan të eksportonin gaze në BE. “Besoj se ekziston mundësia për t’i transportuar, por bëhet fjalë për sasi më të mëdha, 50 cilindra ose më shumë, drejt Szegedit, në Hungari,” tha njëri prej tyre.

Rruga nga Kina: cilindra të ndaluar, çmime deri në 60 dollarë më të lira në BE

Lëndët ftohëse futen në Serbi edhe përmes porosive direkte nga tregtarë kinezë. Sipas hetimit, dhjetëra kompani në platformat “Alibaba” dhe “Made-in-China” ishin të gatshme të shisnin cilindra njëpërdorimësh me lëndë ftohëse, produkte të ndaluara në BE që nga viti 2007 – gjithsej rreth 1,500 artikuj që përmbajnë gaze HFC. Disa ofruan dërgesë pa kërkuar kuotë importi apo certifikatën për gazrat ftohëse.

Tregtarët, shumica me seli në provincën kineze Zhejiang, ofronin gazra HFC me shumicë me 5 deri në 15 dollarë për kilogram, për porosi prej rreth 1,000 cilindrash. Për krahasim, në BE ose Britani çmimi mund të shkojë deri në 60 dollarë.

Sipas teknikëve të licencuar, gazrat hyjnë në Serbi edhe nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Kosova. “Në 90 për qind të rasteve, lëndët ftohëse të cilësisë së ulët vijnë nga Kosova,” deklaroi një teknik serb, duke shtuar se furnizuesit ofrojnë çmime të mira dhe janë korrektë në biznes.

Në një platformë bullgare disa tregtarë pranuan të dërgonin cilindra në Serbi; një tregtar nga Severini (Rumani) pranoi të dorëzonte cilindra në Kladovo, ndërsa një tjetër në Slloveni konfirmoi se mund të organizonte transportin drejt Serbisë.

Trendet në qarkullimin ligjor të ftohësve në Serbi

Në përputhje me rregulloret evropiane dhe ndërkombëtare, Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit e Serbisë vendosi kuota të kufizuara për importin e gazeve që dëmtojnë shtresën e ozonit. Një shitës me shumicë i ftohësve u shpreh se “në vitin 2021 ose 2022, ministria u caktoi kuota kompanive që importonin ftohës në atë kohë, dhe kjo kuotë nuk ka ndryshuar deri më sot”. Nevena Aksic, projektuese e sistemeve të kondicionimit, theksoi se kuota “duhet të ulet nga viti në vit, por kjo nuk po ndodh. Kur importoni pajisje që përmbajnë gaze ftohëse dhe kërkoni lejen e nevojshme nga ministria, në leje specifikohet se ministria nuk mban përgjegjësi”. Përdorni butonat në krye të kolonave për t’i renditur ato në renditje rritëse ose zbritëse. Aktualisht janë të renditura në renditje rritëse sipas llojeve specifike të gazeve.

Gjenerata: 1. CFC; 2. HCFC; 3. HFC; 4. HFO.

Lloje specifike gazrash: 1. R11, R12, R113; 2. R22, R123, R141b, R142b; 3. R134a, R404A, R407C, R410A, R507A, R32; 4. R1234yf, R1234ze.

Statusi dhe efektet e dëmshme : 1. Të ndaluara për prodhim dhe konsum të ri sipas rregullave ndërkombëtare, me përjashtime të kufizuara. Janë tejet të dëmshme për shtresën e ozonit dhe kanë një Potencial të Lartë për Ngrohjen Globale (GWP); 2. Janë në procesin e heqjes së plotë nga përdorimi. Ato dëmtojnë shtresën e ozonit dhe gjithashtu kanë një ndikim të konsiderueshëm në ngrohjen globale; 3. Nuk janë ndaluar plotësisht, por prodhimi dhe konsumi i tyre po reduktohen gradualisht. Ato nuk e dëmtojnë shtresën e ozonit, por shumë prej tyre kanë një potencial të lartë për ngrohjen globale (GWP); 4. Një gjeneratë më e re alternativash, me vlera GWP dukshëm më të ulëta. Ato, në përgjithësi, nuk janë të ndaluara.

Të dhënat nga doganat serbe dhe Komisioni Evropian tregojnë se, midis viteve 2021 dhe 2026, Serbia ka importuar ligjërisht mijëra tonë gaze ftohëse – kryesisht nga Kina, në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh. Rritja më e madhe e importeve dhe e konsumit u regjistrua në vitet 2022 dhe 2023; sipas të dhënave të UNEP-it, konsumi i HFC-ve arriti në 8,45 milionë tonë ekuivalent CO₂, krahasuar me 1,82 milionë tonë një vit më parë.

Në vitet e fundit, shifra është stabilizuar në rreth tre milionë tonë ekuivalent CO₂. Aksiç thekson se konsumi real i gazeve ftohëse, i raportuar pranë institucioneve ndërkombëtare, nuk është pasqyrues i saktë i situatës. Kjo ndodh pikërisht për shkak të ekonomisë informale, si dhe faktit që operatorët e certifikuar, të cilët merren me këto gaze, nuk e kanë detyrim ligjor të njoftojnë ministrinë për sasinë që konsumojnë.

“Gjysma e Novi Sadit nuk ka certifikatë”

Përveç importeve të padeklaruara, gazrat kalojnë edhe nga kanalet ligjore në të paligjshme brenda vendit: importues të ligjshëm u shesin cilindra personave pa certifikatë ose i shesin stoqet kundrejt pagesës në dorë.

Nevena Aksic, projektuese e sistemeve të kondicionimit në kompaninë “Kalsea”, theksoi problemin e cilindrave që nuk rimbushen: “Te cilindrat që nuk rimbushen, nuk e di kujt ia ke shitur, çfarë ke pasur, çfarë të është kthyer mbrapsht, apo ku ndodhet cilindri yt.”

Ligji për Mbrojtjen e Ajrit në Serbi, i miratuar në qershor 2025, e ndalon shprehimisht shitjen e lëndëve ftohëse në cilindra që nuk rimbushen, ndalim e në fuqi në BE që nga 2007.

“Gjysma e Novi Sadit nuk ka certifikatë,” tha një teknik i regjistruar, duke shtuar se disa e shesin gazin pranë Parkut të Danubit dhe në Futog, nga një servis makinash, me mesazhe masive çdo tre muaj, pa fatura, në cilindra njëpërdorimësh të markave kineze “Global” dhe “Whacool”.

Në platformat tregtare serbe u gjetën dhjetëra njoftime shitjeje për persona pa certifikata, përfshirë gazrat më të dëmshëm për shtresën e ozonit R12 dhe R22, si dhe përzierjet R404A, R407C dhe R410A. Disa profile në një grup Facebook-u u ofruan gazetarëve gazin R22.

Mungesa e riciklimit dhe inspektimit

Një problem madhor është mungesa e qendrave të riciklimit. “Në Serbi duhej të ishte ndërtuar një objekt ku këto lëndë ftohëse të asgjësoheshin,” tha Pejkoviç. “Megjithatë, një gjë e tillë nuk u ndërtua kurrë.”

Për një kohë, një qendër riciklimi në Nish pranonte lëndë ftohëse dhe i dërgonte në Evropë për asgjësim, por kjo nuk ndodh më. Qendra ishte përfshirë në mosmarrëveshje gjyqësore me Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit për subvencione të papaguara.

Aksiç vuri në dukje edhe pasivitetin e inspektimit: “Sipas ligjit, në vendin tonë nuk kryhen inspektime për pajisjet që përmbajnë më pak se tre kilogramë lëndë ftohëse. Kjo është mjaft paradoksale. Merrni një qendër klinike me 750 njësi kondicionimi, secila me 600 gramë lëndë ftohëse – total 450 kilogramë në një objekt të vetëm. Dhe askush nuk merret me këtë.”

Sipas ekspertëve, rrjedhjet ndodhin më së shpeshti në sisteme të vjetra e të amortizuara ose si pasojë e instalimeve joprofesionale. “Servisimi i rregullt dhe adekuat mund të zvogëlojë padyshim rrjedhjet. Thjesht nuk mund ta detyroni dikë, i cili ka blerë një pajisje gjashtë vjet më parë, që ta zëvendësojë atë; as rregullori nuk e kërkon një gjë të tillë,” tha ajo.

Bazuar në hulumtimin e përbashkët BIRN – Voxeurop – IRPI. Teknikët folën në kushte anonimiteti, ndërsa BIRN-i nuk i bëri publike emrat e tregtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *