POLITIKATË FUNDIT

“Ka mbaruar koha e marrjes së pushtetit me puç, Kurtin mund ta largoni vetëm me votë”

Hafiz Shala, në një për ‘Bota sot’, ka kritikuar partitë opozitare për refuzimin e ftesave për dialog institucional, duke thënë se ato duhet të paraqesin propozime konkrete për një president konsensual dhe apolitik.

Shala ka thënë se është e pakuptueshme pse opozita po refuzon konstituimin e institucioneve shtetërore dhe ka pretenduar se pas këtij qëndrimi qëndron frika nga përballja me të kaluarën politike.

“Ka mbaruar koha e marrjes së pushtetit me puç. Albinin mund ta largoni nga pushteti vetëm në këtë mënyrë, jo me orruk”, ka deklaruar Shala.

Ai ka theksuar se rruga për ndryshimin e pushtetit, sipas tij, është përmes votës dhe bindjes së qytetarëve.

ImageHafiz ShalaFoto galeri
“Ekziston vetëm një fuqi: ta fitoni votën përmes bindjes së qytetarëve se jeni kthyer kah interesi i tyre dhe angazhimi për ta”, është shprehur ai.

Shala ka hedhur një sërë akuzash ndaj opozitës, duke pretenduar se ajo po përpiqet ta largojë Kurtin nga pushteti pa pritur për një përballje të re elektorale. Ai ka kërkuar që çdo pretendim për keqpërdorime dhe pasuri të përfituar në mënyrë të paligjshme të hetohet nga institucionet kompetente.

“Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, opozitës do t’i zbulohen të gjitha marifetet hajduto-kriminale e tradhtare”, ka shkruar Shala, duke i paraqitur këto si pretendime të tij.

Në pronincimin e tij, ai ka ngritur edhe çështjen e pasurisë së ish-pjesëtarëve të luftës dhe personave që, sipas tij, kanë përfituar nga periudha e pasluftës.

“Duhet të themelohet një Task-Forcë e përbashkët me SHBA-të për t’i zbuluar të gjitha këto dhe për t’ia shtuar buxhetit të shtetit edhe një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme, nëse konstatohet nga hetimet, duhet të kthehet në buxhetin e shtetit, ndërsa prioritet duhet t’u jepet ish-luftëtarëve, invalidëve dhe veteranëve që, sipas tij, kanë kontribuar realisht në luftë.

Shala ka kritikuar edhe disa prej ish-komandantëve dhe gjeneralëve të UÇK-së, duke i krahasuar ata me gjeneralin kroat Ante Gotovina. Ai ka argumentuar se figura të tilla duhet të shërbejnë si shembull për mënyrën se si duhet trajtuar kontributi në luftë pas përfundimit të saj.

“Si nuk e morët shembull ju ‘komandantë e gjeneralë’ të dalë nga lufta, duke mos e keqpërdorur atë për interesa personale, karrieriste e materiale?”, ka pyetur Shala.

Ai ka kritikuar ashpër opozitën për qasjen ndaj institucioneve dhe ka përmendur edhe Richard Grenellin, duke pretenduar se opozita po tenton sërish të rrëzojë Kurtin.

“Opozita, definitivisht e ngulfatur nga harami, po mundohet që, me veprimet e saj jashtë çdo norme apo metode, ta vazhdojë aty ku i ka mbetur ‘igjrami’, me ndihmën e Richard Grenellit, dhe të provojë edhe një herë ta rrëzojë Albin Kurtin”, ka shkruar ai.

Shala ka kërkuar që partitë opozitare, përpara se të kërkojnë rikthimin në pushtet, të japin llogari për qeverisjet e tyre të mëparshme.

“Pa dhënë llogari për të bëmat mbi njëzetvjeçare në pushtet, nuk mund të shpëtoni. Akuzat janë shumë të rënda dhe nuk mund të tejkalohen pa përgjegjësi e pa drejtësi”, ka deklaruar ai.

Në fund, Shala ka thënë se nuk do t’u drejtohet më partive opozitare me kërkesa për dialog, duke pretenduar se ato kanë refuzuar komunikimin me institucionet vendore dhe kanë pranuar vetëm komunikimin me palën amerikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *