TË FUNDIT

Binaku: Rasti i Fatmir Shehollit do të jetë kapitull i ri i zbulimit të “tradhtarëve”

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, profesori Bajram Binaku, ka reaguar lidhur me të ashtuquajturën “Lëvizja e Deçanit”, duke ngritur pretendime për ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të grupeve fetare në zhvillimet shoqërore e politike në Kosovë pas luftës.

Në një shkrim të tij, Binaku ka argumentuar se, sipas tij, përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008 nuk i dhanë fund përplasjeve, por u pasuan nga një “luftë hibride”.

Ai ka përmendur edhe formimin e disa subjekteve politike me orientim fetar, duke pretenduar se në programet e tyre kanë pasur synime për futjen e mësimit fetar në shkolla dhe fakultete.

Postim i plotë:

Përse luftohet Lëvizja e Deçanit?

Lufta për çlirimin e Kosovës u krye më 1999. Pavarësia u shpall më 2008; mirëpo, në liri filloi edhe një luftë hibride. Në emër të lirisë së fjalës e pluralizmit politik, u shfrytëzua mirë nga elementët e brendshëm dhe të jashtëm, dhe kjo bëri që të lindnin parti e organizata fundamentaliste. Nga agjenturat serbe, ruse, arabe e turke u investua, fillimisht duke vepruar “nën plaf”, në edukimin e të rinjve në kompjuterikë e humanizëm, që pastaj i futi në namaz e i edukoi në baza fetare. Kështu ndodhi në 3-4 vitet pas çlirimit.

Partitë mbi baza fetare u formuan kur menduan se ishte atmosferë për veprim. Kështu, PD, Fjala e disa të tjera, në programin e tyre formal kishin moralin, kujdesin ndaj prindërve, barazinë, a në fakt, esencialisht kishin futjen e mësimit fetar nëpër shkolla e fakultete. Duke pasur ndikim tek masa dhe momentin e përshtatshëm politik, hoxhollarët, me ligjëratat e tyre, nxitnin urrejtjen ndaj botës së krishterë, e cila kishte luftuar edhe më shumë se sa ne për t’u shkëputur nga Serbia.

Këta hoxhollarë paguheshin duke shitur shpirtin tek okupatori serb dhe bota lindore arabo-turke. Dënimi i Hysri Selimit me 6 vite burgim është njëri nga rastet e zbuluara nga AKI. Projekti “Top sekret”, i hartuar në Beograd, që pas 20 vjetësh Kosova të duket si Kandahar, tregon jo pak.

Përmes hoxhollarëve u ngritën qindra xhami, skaj rrugëve, u hapën shkolla fetare, apo mejtepe nëpër disa xhami. Hoxhollarët, përveç kësaj, po kërkojnë hixhabin për femra, sheriatin si kushtetutë, urrejtjen ndaj botës së krishterë e përkrahjen e terrorizmit ndërkombëtar.

Duke parë këtë rrezik, pak vonë, por siç thotë populli, “më mirë vonë se sa kurrë”, u mbajt tubimi në Deçan, ku u vendos largimi vullnetar nga besimi islam. Këta burra nuk kërkuan asgjë më shumë veç shprehje vullneti të lirë për largim nga Islami për shkak të veprimit të tij antikombëtar.

Pra, Lëvizja e Deçanit ishte shkëndija e parë antifetare e programit antikombëtar që kishin strategji hoxhollarët.

Pastaj, si produkt i saj, lindën: Lëvizja për Rikthim, Shqiptaria e Lëvizja për Rikthim në Katolicizëm. Asnjëra nga këto nuk bie në kundërshtim me njëra-tjetrën, por përputhen në një pikë kulmore: mbrojtja e kombit nga elementët, tradhtarë, të shitur e agjentura të huaja.

Prandaj, hoxhollarët mendojnë se kanë gjetur gjarpërin tek Lëvizja e Deçanit e t’i “mëshajmë kokës”!

Kot e kanë, kush s’u beson më. Në protestat e Vushtrrisë kundër kishës në Zogaj, ata protestuan me flamuj kombëtarë e të Kosovës, por kot, Kosova po i hedh në kontenjerë gjithë armiqtë e tradhtarët e saj. Rasti i Fatmir Shehollit do të jetë një kapitull i ri i zbulimit të fytyrave të tradhtarëve. Nuk e kanë larg, burgu i pret dyer hapur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *