TË FUNDIT

“Jeta është shumë e shkurtër”, ish-ylli gjerman zbulon pse u pensionua në moshën 30-vjeçare

Niklas Sule ka vendosur të flasë hapur për mënyrën se si e ka jetuar karrierën si futbollist profesionist, duke zbuluar se kurrë nuk ka dashur që e gjithë jeta e tij të sillej vetëm rreth futbollit.

Ish-mbrojtësi i Borussia Dortmundit, në një intervistë në podcastin After The Final Whistle, ka shpjeguar se nuk ka qenë i gatshëm të sakrifikojë çdo aspekt të jetës personale vetëm për të qenë në formën më të mirë të mundshme në fushë.

“Kam pirë tri birra më shpesh sesa duhej dhe kam shkuar në McDonald's. Thjesht nuk kam dashur ta kem ndjesinë se për 15 vitet e ardhshme do të jetoj vetëm për futbollin”, ka deklaruar Sule.

Pesha dhe gjendja e tij fizike kanë qenë vazhdimisht tema diskutimi gjatë karrierës, por për gjermanin ishte e rëndësishme të ruante edhe jetën jashtë futbollit.

“Jeta është shumë e shkurtër. Nuk e di kurrë se çfarë mund të ndodhë. Nuk kam dashur të bëj gjithçka vetëm për një gjë të vetme”, ka shtuar ai.

Sule ka treguar gjithashtu se ndonjëherë e kishte të vështirë të ndante identitetin e tij si futbollist nga ai si person në jetën e përditshme.

“Për miqtë dhe familjen time jam Niklas. Pastaj është dikush që dëshiron një fotografi dhe më thërret Sule, sepse më sheh vetëm përmes fanellës. Por unë nuk jam vetëm Niklas, e as vetëm Sule futbollisti. Jam pak nga të dyja dhe ndonjëherë e kisha të vështirë t'i bashkoja këto dy anë”, ka rrëfyer gjermani.

Sipas raportimit, Sule e përfundoi karrierën në verën e vitit 2026, në moshën 30-vjeçare./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *