TË FUNDIT

I fituari në Peja Peace Forum, Ichak Adizes rrëfen lidhjen e familjes së tij me Kosovën

Profesori i njohur ndërkombëtarisht, Ichak Kalderon Adizes, do të jetë pjesë e edicionit të tretë të Peja Peace Forum, ku do të mbajë ligjëratën kryesore me temën “Urtësia njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”.

Në njoftimin e organizatorëve bëhet e ditur se, në kuadër të forumit, Adizes do të ndajë edhe një rrëfim personal për historinë e familjes së tij hebreje dhe lidhjen e saj me Kosovën.

Sipas tij, një person nga Kosova e kishte ndihmuar familjen e tij të kalonte malet gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të gjetur strehim në Shqipëri dhe për t'i shpëtuar jetën.

Në përgjigjen ndaj ftesës për pjesëmarrje në forum, profesori ka kujtuar edhe lidhjen shumëvjeçare të familjes së tij me Prishtinën.

Ai ka bërë të ditur se familja e tij kishte jetuar në Prishtinë që nga viti 1632 dhe se disa breza të saj janë varrosur në varrezat hebraike të qytetit.

“Një njeri nga Kosova na ndihmoi të kalonim malet gjatë Luftës së Dytë Botërore për të na shpëtuar jetën në Shqipëri”, ka shkruar Adizes në përgjigjen e tij, të përkthyer nga anglishtja nga organizatorët.

Adizes njihet për kontributin në fushën e menaxhimit dhe transformimit organizativ. Ai është themelues i Institutit Adizes dhe autor i modelit PAEI, që trajton katër role plotësuese në menaxhim dhe udhëheqje.

Edicioni i tretë i Peja Peace Forum mbahet më 14 nëntor 2026, nën temën “Revolucioni i urtësisë – Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”.

Ligjërata e Adizes është paraparë të mbahet nga ora 10:20 deri në 10:40.

Sipas organizatorëve, rrëfimi i tij ndërlidhet me temën e forumit, duke vënë në pah rëndësinë e guximit, solidaritetit dhe përgjegjësisë njerëzore në mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të tjetrit.

Të interesuarit që dëshirojnë t'i ndjekin punimet e forumit online mund të regjistrohen përmes kësaj platforme . / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *