TË FUNDIT

Brumi i picës sipas recetës origjinale italiane: Një herë ta provoni, vështirë se do ta ndryshoni

Brumi i picës sipas recetës origjinale italiane: Një herë ta provoni, vështirë se do ta ndryshoni

I butë, elastik dhe me skaje të fryra: Ndiqni këta hapa për të përgatitur në shtëpi një picë që mund të krahasohet me ato të picerive italiane

Nëse pica është ndër ushqimet e preferuara në familjen tuaj dhe mendoni se më e shijshme është ajo që përgatitet në shtëpi, me siguri keni pasur edhe ndonjë përvojë zhgënjyese. Sa herë ju ka ndodhur që brumi të mos dalë ashtu siç e keni imagjinuar, të jetë tepër i fortë, të mos fryhet sa duhet apo të mos ketë elasticitetin e dëshiruar?

Por përgatitja e një brumi të mirë nuk është e pamundur. Mjafton të njihni disa parime që përdorin mjeshtrit italianë të picës dhe t'u kushtoni vëmendje kohës së ardhjes së brumit, përbërësve dhe mënyrës së punimit.

Receta e mëposhtme mbështetet në teknikën italiane të përgatitjes së brumit, me fermentim të ngadalshëm, që ndihmon në krijimin e një strukture të butë dhe elastike.

Nga sasia e përbërësve mund të përgatitni tri pica , të përshtatshme për një drekë ose darkë familjare.

Pse është i rëndësishëm mielli tip 00?

Një nga përbërësit kryesorë është mielli italian i tipit 00, i cili bluhet shumë imët dhe përdoret gjerësisht për përgatitjen e picave dhe makaronave.

Për picë rekomandohet të zgjidhni miell 00 me përmbajtje të përshtatshme proteinash, pasi kjo ndihmon në zhvillimin e glutenit dhe krijimin e një brumi elastik, që shtrihet lehtë pa u këputur.

Kombinimi i tij me miellin për bukë i jep brumit qëndrueshmëri dhe strukturë të mirë gjatë pjekjes.

Në një enë të madhe përzieni të dy llojet e miellit me majanë e thatë.

Shtoni gradualisht 300 ml ujë në temperaturë dhome dhe filloni ta ngjishni brumin me duar ose me mikser.

Më pas shtoni vajin e ullirit. Kur ai të jetë përthithur plotësisht nga brumi, shtoni kripën.

Ngjeshja është një nga fazat më të rëndësishme. Nëse përdorni mikser, punojeni brumin të paktën 5–6 minuta, ndërsa me duar vazhdoni derisa të bëhet i njëtrajtshëm, i butë dhe elastik.

Formoni një top, mbulojeni me një pecetë të pastër ose folie ushqimore dhe lëreni të pushojë për 30–40 minuta.

2. Palosja dhe fermentimi i ngadalshëm

Pasi brumi të ketë pushuar, hapeni lehtë me gishta.

Paloseni njërën anë drejt mesit dhe më pas vendosni anën tjetër sipër saj. Kthejeni brumin përmbys dhe formoni përsëri një top.

Vendoseni në një enë të mbuluar dhe lëreni në frigorifer për 12 orë .

Ky fermentim i ngadalshëm ndihmon në zhvillimin e aromës dhe përmirësimin e strukturës së brumit.

Pas 12 orësh, nxirreni brumin nga frigoriferi, punojeni lehtë dhe ndajeni në tri pjesë të barabarta.

Secilën pjesë formojeni në top dhe vendoseni mbi një sipërfaqe të lyer lehtë me vaj.

Mbulojini me një enë të madhe ose me folie ushqimore dhe lërini të pushojnë edhe 40–50 minuta, derisa të bëhen më të buta dhe të shtrihen më lehtë.

Hidhni pak miell mbi sipërfaqen e punës ose përdorni letër për pjekje.

Vendosni një top brumi dhe filloni ta hapni ngadalë me majat e gishtave, duke shtypur pjesën qendrore dhe duke e shtyrë ajrin drejt skajeve.

Përpiquni të mos përdorni okllai, sepse mund të largojë ajrin e krijuar gjatë fermentimit dhe të pengojë fryrjen e bukur të skajeve.

Përsëriteni procedurën edhe me dy pjesët e tjera.

5. Shtimi i përbërësve dhe pjekja

Pasi të keni formuar bazën, shtoni salcën e domates, mocarelën dhe përbërësit e tjerë sipas dëshirës.

Për rezultate më të mira në furrën e shtëpisë, ngroheni paraprakisht në temperaturën më të lartë të mundshme, zakonisht 250–280°C, nëse furra e lejon.

Piqeni picën derisa skajet të marrin ngjyrë të artë dhe fundi të jetë pjekur mirë. Në një furrë të zakonshme, kjo mund të zgjasë rreth 7–12 minuta, varësisht nga temperatura dhe trashësia e brumit.

Çfarë e bën të veçantë këtë recetë?

Dallimi kryesor nuk qëndron te numri i përbërësve, por te mënyra e përgatitjes dhe durimi.

Fermentimi 12-orësh, ngjeshja e kujdesshme dhe hapja e brumit me gishta ndihmojnë që pica të ketë një bazë të hollë, skaje të ajrosura dhe një strukturë të këndshme.

Dhe sapo të gjeni ekuilibrin e duhur mes brumit, temperaturës dhe kohës së pjekjes, përgatitja e picës në shtëpi mund të kthehet në një nga kënaqësitë më të mëdha të kuzhinës familjare. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *