TË FUNDIT

Honda nxjerr në prodhim motorin revolucionar V3

Prodhuesi japonez, Honda po përgatitet të fusë në prodhim një motor të ri motoçiklete me teknologji të pazakontë, i cili kombinon konfigurimin V3 me një kompresor elektrik.

Modeli V3R 900 E-Compressor është prezantuar në panairin ndërkombëtar të motoçikletave EICMA dhe përfaqëson një nga projektet më ambicioze teknologjike të kompanisë japoneze.

Motori ka tri cilindra dhe vëllim prej 900 centimetra kub. Dy cilindra janë të vendosur në pjesën e përparme, ndërsa i treti në pjesën e pasme, duke formuar një konfigurim V3 me kënd prej 75 gradësh.

Risia kryesore është kompresori elektrik, i cili kontrollohet në mënyrë elektronike dhe mundëson furnizimin me ajër të ngjeshur pavarësisht numrit të rrotullimeve të motorit.

Kjo teknologji synon të sigurojë reagim më të shpejtë ndaj gazit dhe përshpejtim më të fuqishëm, veçanërisht në rrotullime të ulëta. Sipas Honda-s, motori me vëllim prej 900 centimetra kub do të ofrojë performancë të krahasueshme me motorët 1.200 kubikësh, duke ruajtur përmasa më kompakte.

Një tjetër veçori është se sistemi nuk kërkon ftohës të ndërmjetëm të ajrit, të njohur si intercooler, çka mundëson kursimin e hapësirës dhe një konstruksion më të thjeshtë.

Përveç teknologjisë së motorit, Honda po planifikon edhe pajisje moderne për drejtuesit. Modeli pritet të përfshijë sistemin Honda RoadSync për lidhjen me telefonat inteligjentë, si dhe një sistem të komandimit zanor të bazuar në inteligjencën artificiale.

Kompania japoneze ende nuk ka publikuar të dhënat përfundimtare për fuqinë dhe çift-rrotullimin e motorit, ndërsa lansimi në treg është paralajmëruar për vitin e ardhshëm. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *