TË FUNDIT

Historia e shqiptarit që u rreshtua krah serbëve, kush është Muharrem Ibraj që akuzohet për krime lufte?

Deri në vitin 1999, jetoi në fshatin Osek Hylë të Gjakovës.

I lindur dhe i rritur në këtë fshat, Muharrem Ibraj vendosi të rreshtohej përkrah forcës serbe.

Madje, armën dyshohet se ua drejtoi edhe fqinjëve të tij, me të cilët e ndante të njëjtën rrugë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Muharrem Ibrajt, ndërsa të hënën u dëgjuan edhe dëshmitarët.

Për të kishte dëgjuar edhe njëri nga komandantët e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Avdyl Zeneli.

“Është themelues i Policisë lokale që ka vepruar në kuadër të forcave serbe. Çdo gjë e keqe që i ka ndodhur këtij qyteti, ka qenë pjesëmarrës Muharrem Ibraj. Krejt qyteti i Gjakovës e njohim se ka qenë një polic i Serbisë, famëkeq. Pjesëmarrës në çdo masakër, në çdo dhunim, në çdo të keqe që i ka ndodhur këtij vendi. Muharremi, me përfundimin e luftës, ka lëvizur dhe jeton në Serbi”, ka thënë Avdyl Zeneli komandani i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit.

Ibraj akuzohet se kishte qenë pjesëmarrës në shumë prej masakrave që ndodhën në këtë qytet të Kosovës.

“Flitet që Muharrem Ibraj ka qenë edhe në pritën në Urën e Piskatës, ku kanë rënë pjesëtarët e UÇK-së në Pejë, në masakrën e Rugovës së Hasit, masakrën e Mejës. Çdo gjë e keqe që i ka ndodhur Gjakovës, Muharremi ka qenë pjesëmarrës ose e ka bërë programin për vrasje”, u shpreh tutje Zeneli.

Por, a kishte takuar ndonjëherë ky ish-pjesëtar i UÇK-së bashkëpunëtorin e Serbisë?

“Kam pasur qejf ta takoj gjatë luftës, por fatkeqësisht nuk e kam takuar. Kam qenë një-dy herë me qëllim për ta takuar, por nuk e kam takuar”, ka theksuar Zeneli.

E pavarësisht të këqijave që Muharrem Ibraj u ka bërë shqiptarëve, Zeneli thotë se asnjëherë nuk janë hakmarrë ndaj familjarëve të tij.

“Është interesante që, gjithë këto të këqija që i ka bërë Muharrem Ibraj me familjen e vet, Gjakovës dhe qyteteve përreth, ne nuk jemi një popull hakmarrës. Ka familjarë të Ibrajt që jetojnë në Gjakovë dhe asnjë e keqe nuk u ka ndodhur gjatë këtyre 26 viteve”, përfundoj Zeneli.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Muharrem Ibraj u shfaq dy herë, edhe atë në vitin 2005. Ai në gjyqin kundër ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq, si dëshmitar mohoi krimet serbe kundër shqiptarëve.

Tani në moshë të shtyrë, Muharrem Ibraj, jeton nga pensioni në Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *