Brenda Man Utd drejt shkarkimit të Michael Carrick, zbardhen arsyet e vendimit
Manchester United pritet ta shkarkojë Michael Carrickun të enjten, duke e bërë atë trajnerin e shtatë të përhershëm që humbet vendin e punës te klubi anglez gjatë 13 viteve të fundit.
Humbja 3-0 në shtëpi ndaj Bournemouthit, tri javë më parë, duket se ishte pika e fundit për drejtuesit e klubit. Megjithatë, Carrickut iu dha edhe një mundësi deri në përfundim të kësaj ndërprerjeje të kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Por, drejtuesit e Unitedit vlerësuan se përmirësimi i vogël i rezultateve dhe paraqitjeve nuk ishte i mjaftueshëm për ta ndryshuar situatën.
Sipas burimeve pranë klubit, një nga problemet kryesore ishte edhe përbërja e skuadrës, e cila kishte mbetur me mungesa të rëndësishme në disa pozita.
Unitedi nuk kishte alternativa të mjaftueshme në mbrojtje, ishte pa një sulmues qendror të gatshëm për lojë dhe nuk kishte zëvendësues të denjë për Luke Shaw, i cili ka vuajtur vazhdimisht nga lëndimet.
“Carricku nuk u mbështet siç duhej dhe disa persona brenda klubit tashmë po fillojnë ta kuptojnë këtë”, ka thënë një burim pranë Manchester Unitedit.
Ndërkohë, situata ka ndikuar edhe te Bruno Fernandes. Kapiteni portugez raportohet se po e shqyrton më seriozisht se kurrë mundësinë e largimit nga “Old Trafford”, për shkak të premtimeve të pambajtura lidhur me investimet në përforcimin e skuadrës.
Në rast të largimit të Carrickut, Mauricio Pochettino shihet si kandidati kryesor për ta marrë drejtimin e Manchester Unitedit.
Pavarësisht situatës aktuale, Carricku kishte arritur ta përfundonte sezonin e kaluar në vendin e tretë, ndërsa asnjë trajner tjetër që kishte marrë drejtimin e përkohshëm të klubit në janar nuk kishte grumbulluar më shumë pikë deri në fund të edicionit.
Megjithatë, besimi i drejtuesve ndaj tij nuk ishte shoqëruar me një kontratë afatgjatë. Carricku kishte nënshkruar marrëveshje dyvjeçare, ndryshe nga Erik ten Hag dhe Ruben Amorim, të cilët kishin marrë kontrata trevjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon.
Një tjetër tregues i problemeve të Unitedit këtë sezon është intensiteti fizik i skuadrës. Sipas raportimeve, vetëm Manchester City, në ndeshjen kur mbeti me një lojtar më pak, nuk arriti ta vraponte më shumë Unitedin, ndërsa të gjithë kundërshtarët e tjerë në Ligën Premier regjistruan më shumë kilometra vrapimi.
Kështu, largimi i mundshëm i Carrickut do të ishte një tjetër ndryshim në stolin e Manchester Unitedit, që vazhdon të kërkojë stabilitet dhe rikthimin në nivelet më të larta të futbollit anglez. /Telegrafi/
