Haxhiu: Uroj të kemi një marrëveshje për çështjen e presidentit, zgjedhjet nuk i ndihmojnë Kosovës
Ndërsa procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën e apelimit, çështja e Speciales po mbetet pjesë e debatit politik në Kosovë. Me afrimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit, partitë po diskutojnë për konsensusin politik dhe mundësinë e shmangies së zgjedhjeve të reja.
Më 6 tetor përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit është prioritet dhe se në këtë kohë zgjedhjet nuk i duhen askujt.
“Uroj që të kemi një marrëveshje për çështjen e presidentit sepse zgjedhjet nuk i ndihmojnë as Republikës së Kosovës, as qytetarëve, por as atyre që janë në Hagë”, ka thënë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës po konsideron se prioritet i të gjithave, aktualisht, duhet të jetë ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, duke shtuar se ligji dhe zgjedhja e Presidentit nuk duhet ta kushtëzojnë njëra-tjetrën.
“Çështja e presidentit është çështje e konsensusit politik. PDK ka qenë e angazhuar me i shmang zgjedhjet… Për Partinë Demokratike të Kosovës, kryefjalë është ligji për Specialen”, ka thënë Arian Tahiri, shef i GP të PDK-së.
“Dhoma Kushtetuese do të ketë pushtet vetëm për të kontrolluar kushtetutshmërinë e vendimeve të Dhomave paraprake, jo të ligjeve që nxjerr Kuvendi. Pra, ligjet që nxjerr Kuvendi, ne e kemi ndryshuar këtë nen, e kemi thënë i kontrollon vetëm Gjykata Kushtetuese në Prishtinë dhe është tërësisht legjitime edhe demokratike që veç një trup gjyqësor t’i rishikojë vendimet që merr një organ legjislativ i një vendi, jo një institucion që është bërë atje”, ka thënë Përparim Gruda, deputet nga PDK.
Nga Qeveria, ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se drafti duhet fillimisht të shqyrtohet dhe t’i marrë komentet e Qeverisë, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një çështje komplekse ligjore.
“Mendoj se kur ka vullnet ka edhe zgjidhje. Megjithatë duhet pasur shumë kujdes që zgjidhjet të cilat lidhen me këto afate që rastisin të jenë të ndërlidhura, domethënë zgjedhja e presidentit edhe kërkesa e Partisë Demokratike, duhet të jenë të menduara mirë”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, ministre në MINIT.
Kusari-Lila tha se zgjidhja e krizës politike kërkon kompromis dhe konsensus ndërmjet partive, ndërsa sipas saj prioritet është që Kosova të ketë president deri më 6 tetor.
Gjithashtu lexoni:
