Gjinovci shpërthen pas deklaratës së Simiqit: Mashtrohen ata që e justifikojnë diskursin gjenocidal të serbëve
Aktivisti Rron Gjinovci ka reaguar ashpër ndaj glorifikimit të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, duke e lidhur këtë diskurs me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Gjinovci, përmes një shkrimi, ka thënë se ata që justifikojnë ose tolerojnë diskursin gjenocidal “mashtrohen”, pasi, sipas tij, masakrat dhe gjenocidet nisin fillimisht përmes gjuhës dhe propagandës.
Ai ka kritikuar veçanërisht mënyrën se si Mlladiqi është glorifikuar nga një pjesë e serbëve, duke theksuar se pjesëmarrës në homazhet për të e kanë cilësuar atë si “mbrojtës të popullit serb”.
Sipas Gjinovcit, shprehja “populli serb” në këtë kontekst nuk është vetëm një formulim, por pjesë e një ideologjie politike që, siç pretendon ai, ndërtohet mbi viktimizimin dhe nacionalizmin.
“Mashtrohen ata që e justifikojnë diskursin gjenocidal të serbëve. Krejt masakrat, dhe gjenocidet serbët i kanë fillu e i fillojnë me fjalë”, ka shkruar Gjinovci.
Ai është ndalur edhe te deklarata e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë seancës së Kuvendit është shprehur se përfaqëson “popullin serb”.
Gjinovci ka pretenduar se kjo deklaratë mund të shihet si shprehje e një aspirate politike për një status më të gjerë institucional të komunitetit serb në Kosovë, duke e ndërlidhur atë me modelin e Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë.
“Pse duhet na me pasë konsideratë për diskursin gjenocidal të një populli që e glorifikon të dënumin për gjenocid?”, ka shkruar ai, duke shtuar se ndaj këtyre qëndrimeve nuk duhet të ketë tolerancë, veçanërisht në institucionet e Republikës së Kosovës.
Në fund, Gjinovci ka theksuar se Kosova është, sipas tij, një nga vendet më demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe se liria e shprehjes është e garantuar, por ka bërë dallim mes lirisë së shprehjes dhe përdorimit të institucioneve për, siç pretendon ai, “ushqyer diskurs që e minon Republikën”.
