TË FUNDIT

28 orë incizime “tronditëse” – Prokuroria zbulon bisedat e Thaçit dhe pretendimet për ndërhyrje në drejtësi

Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz, ka vazhduar gjatë seancës në Hagë paraqitjen e provave në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Në kuadër të deklaratave përfundimtare, Hafetz ka vazhduar të publikojë mesazhe dhe incizime audio që lidhen me komunikimet dhe bisedat me Fadil Fazliun.

Hafetz ka deklaruar se dëshmia e Rrustem Mustafës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin për krime lufte, ishte në shënjestër të ndërhyrjeve nga ana e Thaçit.

“Mustafa dhe dëshmia e tij ishin në shënjestër të udhëzimeve të ndërhyrjes së Thaçit të cilat synoni në një pjesë të madhe të sigurohej që z. Mustafa të krijonte një distancë në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave që përputhej me narrative e Thaçit”, ka thënë ai.

Prokuroria po i paraqet këto materiale në mbështetje të pretendimeve të saj lidhur me komunikimet mes të akuzuarve dhe çështjen e ndikimit të mundshëm në dëshmitarë.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka paraqitur pjesë të bisedave mes Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut, përmes të cilave pretendon se Thaçi ka dhënë udhëzime konkrete për mënyrën se si duhej të dëshmonte Salih Mustafa.

Në njërën prej bisedave, Thaçi dëgjohet duke këmbëngulur që përgjigjet e Mustafës të jenë të shkurtra.

Thaçi për dëshminë e Mustafës: “Shkurt: jo, po, po, jo”

“Pse mos ia lë ashtu… ata planifikojnë ndryshe të marrin në pyetje. Ti duhet me dalë ashtu siç ke folur, mos e lë aty. Shkurt: jo, po, po, jo. Ne e përgatisim të keqen, ti përgjigjesh atyre gjërave. Jo, kaq. Pjesën që keni që i bëni e bëni ti. Po de qashtu. Ta çojnë një ashtu pastaj ti heq asnjë… e ka mirë këtë radhë thotë, po mundet me të rrëshqitë… Të lodhin. Të lodhin tha”, dëgjohet në bisedën Thaçi – Fazliu.

Prokurori i rastit Joshua Hafetz tha se kjo pjesë, sipas interpretimit të Prokurorisë, tregon se Thaçi nuk po i jepte thjesht këshilla Mustafës, por po udhëzonte për mënyrën se si duhej të përgjigjej gjatë dëshmisë.

Sipas tij, Thaçi përsëriste që përgjigjet të ishin të shkurtra dhe që dëshmitari të mos thoshte më shumë sesa ishte e nevojshme

Hafetz: Thaçi udhëzoi që Mustafa të përgjigjej shkurt dhe të shmangte “rrëshqitjen”

“Thaçi i ka bërë të qarta si kristal udhëzimet e veta. Ai i thotë Fazliut që të përdorë të birin që të organizojë një takim me Mustafën dhe t’i thotë Mustafës se çfarë duhet të bënte. Duke përfshirë si më poshtë: dëshmitë të ishin të shkurtra, të përgjigjej me ‘po, jo’, ‘jo, po’. Të shkurtonte gjërat, mos liheshin gjërat me fund të hapur. Të përdoret seanca për përgatitjen e dëshmitarët për ta bërë punën dhe për të shmangur rrëshqitjen. Thaçi aty zbuloi faktin konfidencial të kohës që mendohej që të merrej në pyetje zoti Mustafa, për qëllimin konkret për të theksuar rëndësinë e Mustafës për t’u përgjigjur me përgjigje të shkurtra”, tha ai.

Në një pjesë tjetër të bisedës, Thaçi dëgjohet duke folur me Fazliun për mesazhin që duhej t’i përcillej Mustafës.

Biseda Thaçi – Fazliu për Mustafën: “Këto thuaji”

“Këto thuaji. Po, unë këta i thashë mbrëmë. Çështje takimesh, çështje kështu. Ata s’kanë pasur punë… s’më intereson tha hiq… Se s’kam ditur… s’kam ditur mendimin e tyre. Këtë e kam bërë unë vetëm. Çfarë ashtu…”, thanë ata në bisedë me njëri tjetrin.

Sipas Prokurorisë, në këtë pjesë Thaçi po i tregonte Fazliut se çfarë duhej t’i thoshte Mustafës, ndërsa Fazliu më pas do t’ia përcillte këto udhëzime.

Hafetz: Thaçi i tregoi Fazliut çfarë mesazhi duhej t’i përcillte Mustafës

“Përsëri, kjo nuk është kujtimi i kohëve të fundit, ose pajtim thjesht për hir të pajtimit. Por kemi të bëjmë me një situatë ku Thaçi i tregon Fazliut se kur të shkojë t’i japë mesazhin Mustafës, mesazhi është ky: shkëputesh, s’ka penale të përgjithshme, përfshirë këtë të Thaçit nga komandantët e zonave. Dhe të thotë që ‘këta nuk më kanë thënë mua asgjë’. Dhe këtu mbyllet citimi. Më pas, Fazliu ka dhënë udhëzime dhe ka sqaruese për Mustafën për të thënë që ‘unë i kam bërë të gjitha vetë’. Tani të vazhdojmë më tej me incizimin”, tha ai.

Në një tjetër pjesë, në video incizim paraqitet një pjesë ku Thaçi me Fazliun diskutojnë për mënyrën e organizimit të takimit me Mustafën.

Prokurori tha se më pas bëhet e qartë se Fazliu nuk duhej të kontaktonte drejtpërdrejt me Mustafën, por se për organizimin e takimit do të përdorej djali i tij.

Hafetz: Fazliu do të përdorte të birin për takimin me Mustafën

“Pasi i thotë asaj pjese, më vonë ata përsëri konfirmojnë që po flasim për dëshminë e Mustafës. Më pas konfirmojnë rëndësinë e Fazliut që të mos kontaktojë Mustafën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por Fazliu do të përdorte të birin, Fariun, për të organizuar takimin. Thaçi u pajtua me këtë edhe tha ‘jo nuk duhet të jesh ti’. Duke e theksuar dhe njëherë rëndësinë e një ndërmjetësi tjetër, një personi tjetër që do të organizonte takimin midis Fazliut dhe Mustafës. Thaçi më pas menjëherë dha udhëzimin e radhës për Mustafën. Udhëzim që kishte të bënte me seancën përgatitore të dëshmitarët dhe çfarë duhej të bënte Mustafa gjatë asaj séance”

Sipas Prokurorisë, bisedat e paraqitura në seancë tregojnë një koordinim të pretenduar lidhur me dëshminë e Mustafës.

Prokurori tha se në biseda Thaçi jepte udhëzime për përgjigjet e dëshmitarit, përgatitjen e tij dhe mënyrën se si duhej të shmangte, sipas Prokurorisë, deklaratat që mund të ishin të dëmshme për Thaçin.

Prokurori i Specializuar, Joshua Hafetz ka vazhduar paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke pretenduar se Thaçi u jepte udhëzime të bashkakuzuarve lidhur me dëshmitarët.

Sipas prokurorit, të bashkakuzuarit duhej të vepronin në përputhje me atë që kërkonte Thaçi.

“Duhet të tonin e të bënin atë që donte Thaçi. Të gjitha argumentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur këtë realitet të thjeshtë”, tha Hafetz.

Prokurori ka pretenduar se mbrojtja po përpiqet ta shpërqendrojë gjykatën nga faktet e paraqitura në këtë çështje.

“Me fjalë të tjera, ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme gjykatën. Mbrojtja do që kjo gjykatë ta fus kokën në rërë dhe të mos shohë atë që është para syve, por nuk mund t’i fshehësh faktet në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh prokurori.

Kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit në Hagë: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

Hafetz ka folur edhe për incizimet e realizuara brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku Thaçi mbahet i ndaluar. Sipas Prokurorisë, këto materiale paraqesin prova për ndërhyrje të pretenduar në dëshmitarë.

“Veprimtaria penale është incizuar brenda qendrës së paraburgimit, ku Thaçi mbahet i ndaluar konkretisht sepse vendimet e vazhdueshme gjyqësore konstatuan se ai ishte i rrezikshëm për ndërhyrjen e dëshmitarëve dhe mund të pengonte procesin gjyqësor”, tha ai.

Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se janë siguruar rreth 28 orë incizime të bisedave të Thaçit, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta gjatë një periudhe katërmujore.

“28 orë incizime të z. Thaçi, të shpërndara në nëntë vizita të veçanta në periudhën katërmujore, përfshirë pesë vizita ku Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore”, u shpreh ai.

Sipas tij, përmbajtja e këtyre incizimeve është veçanërisht rënduese për Thaçin dhe bashkakuzuarit.

“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Thaçi, vizitë pas vizite, ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thonin vizitorët dëshmitarëve”, tha prokurori i ZPS-së.

Rasti për administrim të drejtësisë- kryeprokurorja me akuza ndaj Thaçit: Formoi grupe për të ndikuar te dëshmitarët

Prokurori Hafetz ka pretenduar se udhëzimet kanë qenë edhe më të drejtpërdrejta kur bëhej fjalë për dëshmitarë viktima, të cilët, sipas tij, e lidhnin Thaçin me sjellje të mëparshme.

“Sa u takon dëshmitarëve viktima, ku e lidhinin zotin Thaçi me një sjellje të mëparshme, udhëzimet ishin edhe më të thjeshta: dëshmitari duhet të fshijë çdo gjurmë të përfshirjes së z. Thaçi”, tha ai.

Prokuroria po i paraqet këto pretendime në kuadër të deklaratave përfundimtare në çështjen ndaj Thaçit dhe të bashkakuzuarve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *