Eksperti i sigurisë zbërthen mesazhin e fuqishëm të komandatit të KFOR-it: Sinjale të forta për sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës!
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka dhënë detaje nga qëndrimi i tij në Bruksel, ku ka informuar ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s për misionin.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Ulutas ka thënë se KFOR-i mbetet shtylla kyçe e stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
“KFOR-i ka qenë dhe mbetet një shtyllë kyçe e stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është e vërtetë edhe sot. KFOR-i është një dëshmi konkrete e këtij angazhimi të qëndrueshëm.”
Ai ka shprehur mirënjohje për vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj misionit.
“Jam mirënjohës ndaj të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve për përpjekjet e tyre për të siguruar që KFOR-i të jetë i pajisur dhe i pozicionuar mirë për të vazhduar zbatimin e plotë dhe të paanshëm të mandatit të tij nga OKB-ja.”
Ulutas ka theksuar gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me palët e ndryshme në terren.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Eksperti thekson se prania e KFOR-it mbetet thelbësore për stabilitetin dhe parandalimin e krizave në Kosovë, ndërsa paralajmëron një tranzicion gradual ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë më shumë përgjegjësi, duke u integruar më ngushtë me strukturat e NATO-s.
“Roli i KFOR nuk është më çështje interpretimi — është fakt strategjik. Pa këtë prani, balanca e sigurisë në Kosovë dhe në rajon do të ishte dukshëm më e brishtë dhe më e ekspozuar ndaj skenarëve destabilizues.
KFOR-i sot është linja e fundit që ndalon kalimin nga tensioni në krizë. Në një mjedis ku aktorë të ndryshëm testojnë vazhdimisht kufijtë e reagimit, prezenca e NATO është garancia kryesore që çdo përpjekje për eskalim do të përballet me kosto reale dhe të menjëhershme.
Por dinamika e sigurisë është në ndryshim. Brenda një procesi të koordinuar dhe të miratuar nga NATO, pritet që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë përgjegjësi të reja operative, duke kaluar gradualisht nga një rol mbështetës në një rol më të avancuar ushtarak. Ky tranzicion hap rrugën për një bashkëveprim më të integruar me KFOR-in, deri në modele të përbashkëta të komandës dhe koordinimit në terren”, u shpreh ai.
Duke vazhduar tutje, Shala thekson që në të ardhmen Kosova synon të marrë përgjegjësinë kryesore për sigurinë e saj përmes forcimit dhe transformimit të forcave vendore në përputhje me NATO-n, ndërsa KFOR-i do të mbetet një garanci e përkohshme dhe mbështetëse gjatë këtij procesi gradual.
“Në perspektivë afatmesme (2027–2028), me transformimin e plotë në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe afrimin me standardet e NATO-s, Kosova synon të hyjë në një fazë të re , ku lidershipi operacional në territorin e saj të dominohet nga kapacitetet vendore. Në këtë konfigurim, struktura e komandës do të reflektojë këtë realitet — me mbi 80% rol drejtues nga forcat e Kosovës, ndërsa KFOR-i do të mbetet në një rol më të kufizuar, kryesisht këshilldhënës dhe monitorues në segmente specifike.
Megjithatë, duhet theksuar qartë ky është një proces që varet nga zhvillimet politike, standardet e arritura dhe vendimmarrja brenda NATO-s. Nuk është automatizëm, por objektiv strategjik.
Mesazhi është i drejtpërdrejtë pra KFOR-i mbetet garancia aktuale e paqes, por e ardhmja e sigurisë në Kosovë lidhet me ndërtimin e një force të aftë vendore, të integruar me NATO-n dhe të gatshme të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vendit”, përfundoi Shala për “Bota sot”.
