Ekspertët: Incidenti në veri tregon përplasje të vazhdueshme rreth simboleve dhe realitetit institucional
Në veri të Mitrovicës ditë më parë është raportuar një incident ku kryetari i komunës Milana Radojeviq dhe kryesuesja e Kuvendit Komunal Ivana Zaporoshac janë shoqëruar në stacionin policor.
Sipas informacioneve, ata kanë tentuar të ngjyrosin me sprej të kuq mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, i vendosur më herët nga pushteti i kaluar komunal.
Veprimi i tyre nuk është lejuar nga autoritetet, në bazë të një vendimi të ri të Kuvendit Komunal.
Ngjarja ka nxitur reagime dhe është parë si pjesë e tensioneve të vazhdueshme rreth simboleve publike dhe administrimit në veri të qytetit.
Rexhepi: Mesazhi kryesor i këtij incidenti është se veriu i Kosovës po kalon një proces transformimi
Ish-hetuesi, Agim Rexhepi në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se incidenti me simbolin “E dua Mitrovicën” është sfidë ndaj rendit institucional në veri të Kosovës.
Sipas tij, reagimi i Policisë tregon se ligji po zbatohet njësoj për të gjithë.
ImageIsh-hetuesi, Agim RexhepiFoto galeri
“Incidenti me simbolin ‘E dua Mitrovicën’ nuk duhet parë thjesht si një mosmarrëveshje rreth një instalacioni urban, por si një përpjekje për të sfiduar rendin institucional dhe realitetin e ri në veriun e Kosovës. Fakti që zyrtarë komunalë tentuan të dëmtojnë ose mbulojnë një simbol publik që promovon qytetin dhe bashkëjetesën, dërgon një mesazh politik më të gjerë sesa vetë objekti në fjalë.
Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti ka investuar gjatë mandatit të saj në shtrirjen e ligjshmërisë dhe funksionimin e institucioneve në veri. Për vite të tëra, veriu ka qenë arenë e strukturave që kanë kundërshtuar simbolet shtetërore dhe identitetin institucional të Kosovës. Prandaj, reagimi i Policisë së Kosovës ndaj çdo akti që cenon rendin publik tregon se sot ligji vepron njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës politike apo etnisë”, thotë ai.
Ai thekson se simboli “E dua Mitrovicën” përfaqëson qytetin dhe bashkëjetesën, jo kundër askujt, dhe se kundërshtimi ndaj tij tregon mospranim të realitetit të ri në veri.
Rexhepi tha se, veriu po kalon transformim dhe institucionet po forcohen, duke mos lejuar më sfidim të ligjit.
Ai shton se ky rast tregon se shteti i Kosovës është më i pranishëm dhe më i vendosur në mbrojtjen e rendit dhe qytetarëve.
“Nëse dikush synon largimin e simboleve që promovojnë identitetin qytetar të Mitrovicës, atëherë kjo tregon se ende ekzistojnë qarqe që nuk e kanë pranuar realitetin e bashkëjetesës dhe integrimit. Simboli ‘E dua Mitrovicën’ nuk është simbol kundër askujt; ai është simbol i dashurisë për qytetin dhe i së drejtës së secilit qytetar që ta shohë Mitrovicën si shtëpinë e vet.
Mesazhi kryesor i këtij incidenti është se veriu i Kosovës po kalon një proces transformimi. Dikur sfidoheshin institucionet e Kosovës, ndërsa sot sfidohen edhe simbolet që përfaqësojnë jetën e përbashkët në qytet. Megjithatë, reagimi institucional dëshmon se sundimi i ligjit nuk është më i negociueshëm. Kushdo që tenton vandalizim ose nxitje tensionesh do të përballet me institucionet, pavarësisht funksionit që mban.
Qytetarët duhet ta shohin këtë rast si dëshmi se shteti i Kosovës sot është më i pranishëm, më funksional dhe më i vendosur se kurrë për të mbrojtur rendin, pronën publike dhe dinjitetin e çdo qytetari në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës” – foli ai.
Shala: Simbolet në shoqëritë e ndara etnikisht nuk janë vetëm dekor
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala duke komentuar për “Bota sot”, u shpreh se incidenti në Mitrovicën e veriut nuk është thjesht çështje urbane, por betejë për narrativë dhe kontroll simbolik.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Ai tha se, simbolet në zona të ndara etnike përfaqësojnë identitet dhe sovranitet, ndaj çdo ndryshim i tyre ka peshë politike, duke shtuar se këto veprime krijojnë perceptim për garë simbolike në veri, edhe pse nuk ka prova për plan të organizuar.
“Incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, ku kryetari i komunës dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal u shoqëruan nga Policia e Kosovës pasi tentuan të ndryshonin pamjen e simbolit “E dua Mitrovicën”, është shumë më tepër sesa një mosmarrëveshje rreth një instalacioni urban. Ai reflekton betejën e vazhdueshme për narrativën, identitetin dhe kontrollin simbolik të hapësirës publike në veri të Kosovës.
Simbolet në shoqëritë e ndara etnikisht nuk janë vetëm dekor. Ato përfaqësojnë praninë institucionale, identitetin kolektiv dhe perceptimin e sovranitetit. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ndryshimin, largimin apo transformimin e tyre merr automatikisht dimension politik.
Nëse shikohet në kontekstin më të gjerë të zhvillimeve në veri, incidenti mund të interpretohet si pjesë e një përpjekjeje për të sfiduar simbolet që perceptohen si përfaqësuese të realitetit të ri institucional në atë pjesë të Kosovës. Nuk ka prova publike që ekziston një plan i organizuar për largimin e simboleve shqiptare nga veriu, por veprime të tilla krijojnë perceptimin se po zhvillohet një garë simbolike për kontrollin e hapësirës publike”, theksoi ai.
Në fund, Shala thotë se incidenti ka mesazh të dyfishtë: mund të përdoret për mobilizim etnik dhe njëkohësisht teston reagimin e institucioneve të Kosovës.
Ai paralajmëron se tensionet në veri shpesh nisin nga simbolet dhe duhet reagim ligjor e i paanshëm. Sipas tij, në thelb është beteja për definimin e hapësirës publike dhe drejtimin e bashkëjetesës në Mitrovicë.
“Mesazhi që përcillet nga ky incident është i dyfishtë. Nga njëra anë, ai synon të mobilizojë serbet lokal përmes çështjeve identitare dhe simbolike. Nga ana tjetër, teston reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj veprimeve që mund të interpretohen si sfidim i rendit institucional dhe i autoritetit komunal.
Në aspektin e sigurisë, ngjarje të tilla nuk duhet nënvlerësuar. Historia e veriut ka treguar se tensionet politike shpesh fillojnë me simbole, grafite, flamuj apo monumente, përpara se të shndërrohen në debate më të gjera politike dhe shoqërore. Pikërisht për këtë arsye, reagimi institucional duhet të mbetet ligjor, proporcional dhe i paanshëm.
Në fund, çështja nuk është vetëm ngjyra e një zemre apo një instalacioni urban. Çështja është se kush e definon hapësirën publike, cilat simbole pranohen si pjesë e saj dhe nëse Mitrovica do të ndërtohet mbi logjikën e konkurrencës identitare apo mbi logjikën e bashkëjetesës qytetare. Incidenti i fundit tregon se beteja për simbolet vazhdon të mbetet një nga frontet më të ndjeshme të realitetit politik në veri të Kosovës” – përfundon ai për gazetën “Bota sot”.
