Dyshohet se i vodhi fqinjit 1.700 euro dhe gjësende me vlerë, një muaj paraburgim për të dyshuarin në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Rr.H., i dyshuar për veprën penale të vjedhjes së rëndë.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 12 tetor 2026, rreth mesnatës, në Gjakovë, kur i dyshuari dyshohet se ka kapërcyer murin e shtëpisë së tij dhe ka hyrë në oborrin e fqinjit, G.H.
Më pas, përmes derës së tarracës, dyshohet se ka hyrë brenda shtëpisë, nga ku ka marrë një zarf me 1.700 euro, një iPad, një laptop, dy telefona, syze, orë dore, bizhuteri, para në dinarë dhe sende të tjera me vlerë.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 11 nëntor 2026, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
