Uncategorized

Drama në LDK, Blerim Latifi: Duket se kjo parti po i afrohet fundit të ekzistencës

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku, dy degë të këtij subjekti kanë kërkuar dorëheqjen e kryetar Lumir Abdixhiku.

Latifi, në reagimin e tij, ka shtruar ‘’një hipotezë’’, duke thënë se, duket që, LDK-ja po “afrohet fundit të ekzistencës së saj historike”.

“Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Dua të jem i qartë që në fillim: mendimi im i mëposhtëm nuk shpreh dëshirat e mia, por vetëm një vëzhgim krejt neutral. Ose thënë me gjuhën filozofike: një hipotezë.

Më duket se LDK-ja po i afrohet fundit të ekzistencës së saj historike.

Disfatat e njëpasnjëshme, paaftësia për ta mbushur boshllëkun e madh të lënë nga lideri i saj historik, si dhe shkëputja gjithnjë e më e thellë midis kujtesës dhe shpresës, kanë prodhuar një gjendje të zgjatur lodhjeje dhe shterrimi politik. Kujtesa vazhdon të ekzistojë, por nuk arrin më të gjenerojë energjinë e nevojshme për të projektuar një të ardhme që i bindë njerëzit.

Partitë politike historike jetojnë për aq kohë sa arrijnë ta lidhin të kaluarën me të ardhmen. Ato vdesin kur kjo lidhje këputet. Kur kujtesa shndërrohet në një arkiv të nostalgjisë, por pushon së qeni burim frymëzimi e shprese, atëherë fillon procesi i tretjes historike.

Kam përshtypjen se pikërisht këtë proces po e përjeton sot LDK-ja. Mund të gaboj, sepse historia na mëson për raste të shumta rikthimesh të papritura dhe ringjalljesh që duken të pamundura. Por, për momentin, nuk më duket se po shohim thjesht një krizë të radhës, por simptomat e një fundi të ngadaltë historik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *