Dosti me mesazh për Kurtin pas formimit të qeverisë: Bashkëpuno me LDK-në, mbaji larg këta emra
Publicisti Adriatik Riza Dosti ka reaguar pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke i drejtuar kryeministrit Albin Kurti një varg kërkesash për përbërjen dhe orientimin e kabinetit të tij.
Në një postim në Facebook, Dosti e ka përshëndetur formimin e Qeverisë Kurti 4, ndërsa ka vlerësuar se përgjegjësia e qeverisë së re është më e madhe se më parë.
“Për fat të mirë të Kosovës e të popullit të saj, në Qeverinë Kurti 4 nuk ka asnjë ‘gungë’ prej PDK-së, LDK-së e AAK-së. Ndaj përgjegjësia e atyre që u betuan sot është shumë herë më e madhe se sa kurdoherë”, ka shkruar Dosti.
Ai i ka bërë thirrje Kurtit që në kabinetin e tij të përfshijë njerëz që, sipas tij, punojnë me “mendje, zemër e shpirt” për vendin dhe qytetarët.
“Ja del, ndaj dhe ti, Albin, e kabineti yt do t’ia dilni, sepse ke me vete Kosovën, që ju besoi e ju votoi”, ka shkruar ai.
Dosti ka kërkuar që nga institucionet dhe vendimmarrja të mbahen larg disa figura të njohura politike.
“Mbajini larg Hamzat e Ramushët, Gjinët, Isat, Dullet, Hykmetet e Vjosat, Ganat e Timet, por edhe Dhelprat si puna e Dude Baljes”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën kohë, publicisti ka kërkuar forcimin e drejtësisë, luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e integritetit e sovranitetit të Kosovës.
“Meshoni fort drejtësisë e barazisë shoqërore, luftës kundër hajnisë e korrupsionit, ruajtjes së integritetit e sovranitetit të Kosovës, si dhe përparimit e begatimit të saj dhe të popullit të saj”, ka shkruar Dosti.
Ai e ka këshilluar Kurtin që të kërkojë bashkëpunim me LDK-në dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.
“Albin, shih mundësinë e bashkëpunimit me LDK-në e Rugovës dhe të marrëveshjeve me Abdixhikun, në të mirë të Kosovës e popullit tuaj”, thuhet në reagimin e tij.
Dosti gjithashtu i ka bërë thirrje kryeministrit që të mos bëjë lëshime ndaj Listës Serbe dhe atyre që ai i quan bashkëpunëtorë të saj.
Në pjesën tjetër të reagimit, ai e ka krahasuar Kurtin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke përdorur akuza të rënda politike ndaj këtij të fundit.
Sipas Dostit, Kurti gëzon mbështetje jo vetëm në Kosovë, por edhe te një pjesë e shqiptarëve në Shqipëri dhe në diasporë.
“Je përpara një prove të madhe kombëtare, Albin, sepse aq sa të duan e të vlerësojnë në Kosovë për gjithçka po bën për shqiptarët, po aq të duan dhe kanë besim të madh tek ti edhe në atdheun mëmë”, ka shkruar ai.
Në fund, Dosti ka shprehur dëshirën që Kosova të zgjedhë një president të ri përmes konsensusit dhe një marrëveshjeje të qëndrueshme politike.
“Ishalla edhe me një president të ri, të zgjedhur me konsensus e me një marrëveshje të qëndrueshme e të pranueshme, por në të mirë të Kosovës dhe popullit të saj”, e ka përfunduar reagimin Adriatik Riza Dosti.
