Diplomacia në lëvizje: Kurti përfaqëson Kosovën mes liderëve evropianë – Shabani zbërthen prapaskenat
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, ku ka zhvilluar takime me një sërë liderësh ndërkombëtarë.
Kjo pjesëmarrje u cilësua si një mundësi e rëndësishme për forcimin e pranisë së Kosovës në skenën diplomatike evropiane dhe për thellimin e kontakteve me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e Kurtit mund të interpretohet si një hap që e afron Kosovën më shumë me proceset integruese evropiane, duke rritur dukshmërinë dhe angazhimin e saj në forumet shumëpalëshe.
Më gjerësisht për këtë, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.
Sipas tij, pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit është një hap i rëndësishëm për Kosovën, në aspketin diplomatik.
“Përfaqësuesit e BE dhe krerët e shteteve në Komunitetin Politik Evropian që po mbahen në Armeni, bënë thirrje për më shumë përgjegjësi vetjake në politikën e sigurisë. Tërheqja e mijëra trupave nga Gjermania në SHBA është sinjal alarmi për Evropën.
Pjesëmarrja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan po konsiderohet një hap i rëndësishëm për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, ndonëse jo pa dilema mbi fuqinë e këtij përfaqësimi”, deklaroi ai.
ImageAmir ShabaniFoto galeri
Krahas kësaj, njohësi tregoi edhe përfitimet nga këto takime ndërkombëtare.
Ai konsideron se praninë e shtetit në tryeza ndërkombëtare, ndikon edhe në avancimin e interesave shtetërore.
“Në këtë forum, që mbledh rreth 50 liderë nga e gjithë Evropa për të diskutuar sfidat kryesore të kontinentit, Kosova po përfaqësohet nga një qeveri në detyrë. Shikuar nga aspekti diplomatik, kjo situatë ka si anë pozitive praninë e shtetit në tryeza ndërkombëtare, por njëkohësisht kufizon kapacitetin për vendimmarrje dhe marrëveshje konkrete. Pra, vet pjesëmarrja e Kosovës në këto samite ka rëndësi të madhe diplomatike.
Samite të tilla ofrojnë mundësi për takime bilaterale dhe multilaterale, të cilat mund të jenë të dobishme për avancimin e interesave shtetërore”.
Në fund, ai shtoi se, faktin që kemi qeveri në detyrë, mund të ndikojë që shtetet e tjera të bëhen më të rezervuara.
“Megjithatë, fakti që vendi përfaqësohet nga një qeveri në detyrë, i bën shtetet e tjera më të rezervuara, pasi mungon një mandat i plotë për të marrë dhe zbatuar marrëveshje”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.
