Sarajeva bashkon shqiptarët e luftës – kujtesë, krenarisë dhe unitetit ndër breza
Sarajevë, 1 maj 2026 – Nën organizimin e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të klubit shqiptar që vepron prej dekadash në Sarajevë, u mbajt një tubim i madh përkujtimor me pjesëmarrjen e shqiptarëve që kontribuuan në Luftën e Bosnjës.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të njohura, kontribuues dhe miq nga vende të ndryshme, përfshirë Londrën, Suedinë, Gjermaninë, Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Prania e tyre dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë dhe të pandërprerë të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Tubimin e hapi znj. Suada Agjanela, ish-kryetare e Klubit të Shqiptarëve në Sarajevë, e cila përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi z. Omer Zuko për iniciativën dhe organizimin e këtij takimi. Në fjalën e saj, ajo theksoi rëndësinë e këtij tubimi jo vetëm si një takim miqësor, por edhe si një moment reflektimi për periudhat më të vështira të jetës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Ne sonte jemi takuar jo vetëm për t’u parë, por për të kujtuar një kohë kur nuk kishim shumë, por kishim njëri-tjetrin dhe vullnetin për të mbijetuar. Ju, gjeneralë, komandantë dhe oficerë, e mbrojtët këtë shtet me nder”, u shpreh ajo.
Më pas, fjala iu dha z. Naser Myftari, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe humanist i njohur, i vlerësuar edhe me mirënjohje nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Në këtë tubim mori pjesë edhe Reisu-l-ulema Nexhmedin ef. Saqipi, i ftuar nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në periudhën 1989–1992. Si student dhe aktivist i palodhur, ai kishte një rol kyç në organizimin dhe unifikimin e studentëve shqiptarë përmes Unionit të Studentëve Shqiptarë në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në mobilizimin e ndihmave humanitare për Kosovën.
Tubimi u pasurua edhe me një fjalim të shkurtër, por domethënës, nga dr. Sabri Trepça nga Londra, i cili rikujtoi ngjarje të rëndësishme historike dhe theksoi lidhjet natyrore dhe të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Ndër të pranishmit ishin edhe figura të njohura dhe veteranë të luftës, si gjeneralët Ismet Alija, Halil Biçaj dhe Ramiz Bejiqi, si dhe personalitete të tjera si dr. Mexhit Musa, Muabera Belegu, Selim Miftari e shumë të tjerë, të cilët u falënderuan për pjesëmarrjen në këtë tubim të paharrueshëm.
Në fjalën e tij hyrëse, z. Naser Myftari shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi kontributin e shqiptarëve gjatë luftës në Bosnje, duke nderuar veçanërisht dëshmorët dhe invalidët e luftës. “Pa sakrificën e tyre, ne sot nuk do të ishim këtu ku jemi”, u shpreh ai.
Sarajeva, si një qendër e rëndësishme historike dhe kulturore, mbetet simbol i rezistencës për liri, paqe dhe demokraci. Në këtë kontekst, shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet kanë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e këtyre vlerave, duke dëshmuar përkushtim, kulturë dhe dinjitet të lartë kombëtar.
Ky tubim shërbeu si një dëshmi e gjallë e historisë, sakrificës dhe unitetit të shqiptarëve, të cilët edhe në kohë të vështira kanë ditur të qëndrojnë së bashku – si në luftë, ashtu edhe në paqe./Jetapress/
