DIJA JURIDIKE NË SHËRBIM TË DREJTËSISË: BLERTON SINANI NË KËSHILLIN PROGRAMOR TË AKADEMISË
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e përshëndet zgjedhjen e Prof. Dr. Blerton Sinanit, profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative në UEJL, si anëtar të Këshillit Programor të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Zgjedhja e prof. Sinanit, si një nga përfaqësuesit shqiptarë të botës akademike juridike, është një vlerësim për dijen, ekspertizën dhe kontributin shkencor në fushën e së drejtës. “Është e rëndësishme që dija juridike e profesorëve shqiptarë të jetë pjesë aktive e proceseve të formimit dhe avancimit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është në interes të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe të standardeve evropiane”, thekson ministri Shasivari. Ministri i uron prof. Sinanit sukses në këtë përgjegjësi dhe kontribut të mëtejshëm në forcimin e profesionalizmit të institucioneve të drejtësisë. Dija krijon profesionalizëm ndërsa profesionalizmi ndërton besim në drejtësi.
