OPINIONTË FUNDIT

“Debakël i vërtetë politik”, paralajmërimi i Mehmetit për të ardhmen e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur 148 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku theksoi se hapi i radhës është verifikimi i nënshkrimeve të mbledhura.

Sipas tij, pas përfundimit të procesit të verifikimit do të bëhen publike data dhe vendi ku do të mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm.

“Pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve, do të bëhen të ditura data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit. LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet shtyllë e fuqisë së saj. Prandaj, nuk duhet t’i shmangemi asnjë procesi demokratik. Ne nuk do t’ia heqim askujt të drejtën e votës dhe nuk do të mbajmë asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se LDK-ja nuk ndodhet në momentin e përshtatshëm për të zhvilluar zgjedhje të brendshme, duke theksuar se prioritet duhet të jetë procesi i formimit të institucioneve.

Sipas tij, përçarjet brenda partisë dhe përplasjet e brendshme mund të kenë pasoja të rënda për LDK-në dhe për skenën politike në vend.

“Besoj se LDK-ja nuk është në momentin e duhur për të shkuar në zgjedhje të brendshme, pasi përpara saj është procesi i formimit të institucioneve. Një LDK e përçarë sigurisht që mund t’i kushtojë vendit edhe me shkuarjen në zgjedhje të reja. Kjo nuk do të thotë se LDK-ja duhet të fajësohet për këtë situatë, por shkuarja në zgjedhje në këtë fazë, kur partia është e përçarë dhe nën akuza të brendshme, do ta dëmtonte shumë atë”, ka thënë ai.

ImageFaton MehmetiFoto galeri
Po ashtu, Mehmeti ka paralajmëruar se një proces i tillë në këtë periudhë mund të sjellë pasoja të mëdha elektorale për partinë, duke përmendur edhe mundësinë e rezultatit më të dobët në historinë e saj.

“Madje, mendoj se LDK-ja mund të përballet me rezultatin më të keq që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj dhe të pësojë një debakël të vërtetë politik. Në këtë kuptim, dëmin më të madh LDK-së po ia shkaktojnë vetë grupet e interesit brenda saj, të cilat është dashur të presin fillimisht formimin e institucioneve dhe më pas të kërkojnë përgjegjësi apo vendimmarrje për z. Abdixhiku. Ky proces është dashur të nisë nga degët e partisë dhe të zhvillohet në një mënyrë më serioze e më institucionale”, është shprehur ai.

Sipas tij, pavarësisht se kërkesat për ndryshime brenda LDK-së mund të kenë bazë, koha dhe mënyra e paraqitjes së tyre po e dëmtojnë rëndë imazhin e partisë.

“Edhe pse këta persona mund të kenë një bazë për të kërkuar ndryshime, për shkak të humbjeve të vazhdueshme në zgjedhje, momenti në të cilin po e bëjnë këtë, sipas meje, po e dëmton rëndë LDK-në. Ata rrezikojnë të jenë përgjegjës për një rezultat të dobët të partisë në të ardhmen. Pra, dëmin më të madh LDK-së po ia bëjnë vetë njerëzit e saj, të cilët, me këto përplasje të brendshme, po e dobësojnë partinë dhe po rrezikojnë ta çojnë drejt një situate shumë të rëndë politike”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *