TË FUNDIT

Bytyqi: 6 deputetët e LDK-së që kundërshtojnë Sejdiun janë të lidhur me Isa Mustafën, PDK-në dhe AAK-në

Analisti politik Seb Bytyqi ka thënë se 6 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që janë deklaruar se nuk e mbështesin marrëveshjen me Vetëvendosjen për kandidatin konsensual p[ër president, Bekim Sejdiu, janë të lidhur me ish-kryetarin Isa Mustafa si dhe se njihen që të paktën përpara kanë pasur lidhje më Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Bytyqi ka thënë se ky është një grup që shkon më shumë në vijën e opozitës dhe nuk dëshiron që ta lë Vetëvendosjen që ta paraqesë si sukses marrëveshjen e arritur me LDK-në për kandidaturën e Sejdiut.

“Secili deputet ka të drejtën ta ketë mendimin e vet, mirëpo si duket këtu kemi të bëjmë me të njëjtin grup apo fraksion që edhe me herët ka qenë pothuajse në një linjë të përbashkët, që është i njohur dhe është i lidhur edhe me ish-kryetarin Isa Mustafa, dhe ndoshta bëhet fjalë për një grup që të paktën përpara ka pasur lidhje më të afërta me partitë e opozitës, pra me PDK-në dhe AAK-në”, është shprehur Bytyqi në një intervistë në emisionin “60 Minuta”, në KTV.

Ai ka deklaruar se qëndrimet e këtyre 6 deputetëve më shumë janë të lidhura me interesa grupore të rrjeteve të ndryshme sesa janë parimore.

Ai ka theksuar se përkundër kundërshtimit të 6 deputetëve të LDK-së zgjedhjet do të mund të evitohen nëse deputetë të tjerë do të qëndrojnë në sallë për ta bërë kuorumin prej 80 deputetëve sa duhet të marrin pjesë në votim për zhvillim të dy raundeve të para për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Bytyqit ka gjasë që edhe pakica serbe ta ofrojë kuorumin e nevojshëm për evitim të zgjedhjeve.

Abdixhiku të martën pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se 6 prej 18 deputetëve të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj e Janina Ymeri janë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun.

E po të martën u takua edhe Grupin Parlamentar i Vetëvendosjes. Pas takimit Kurti tha se në këtë grup të gjithë ishin të pajtimit për kandidaturën e Sejdiut, por tha se me refuzimin e 6 deputetëve të LDK-së numri maksimal i votave që mund të sigurojnë është 74.

Kurti tha se marrëveshja politike për të është ende valide, por shtoi se duhet të takohet sërish me Abdixhikun dhe më pas edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

Bekim Sejdiu u propozua të hënën si kandidat për president pas dakordimit të arritur mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *