Uncategorized

Arrestohen nëntë serbë për krime lufte në Zubin-Potok, operacioni lidhet me “Grupin e Intelektualëve”

Policia ka arrestuar nëntë persona të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin-Potokut.
Sipas njoftimit, arrestimet janë kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në kuadër të operacionit të koduar si “Dosja 23”.
Bëhet e ditur se operacioni policor ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
“Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me rastin e krimeve të luftës, Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, mbështetur edhe nga njësitet tjera të specializuara policore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut ka zhvilluar operacionin e koduar si ‘Dosja 23’. Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar nëntë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në njoftim.
Mbetjet mortore të 23 personave të cilat dyshohet se i përkasin “Grupit të Intelektualëve” janë gjetur në gërmimet në Kalludër dhe Jabukë të cilat nisën më 27 korrik dhe përfunduan më 21 gusht.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *