Angelina Jolie i jep lamtumirën Hollywoodit? Shet vilën luksoze në Los Angeles
Angelina Jolie ka shitur vilën e saj historike në Los Angeles për rreth 22 milionë euro, në një marrëveshje që po shihet si një tjetër shenjë e largimit të aktores nga Hollywoodi.
Blerësja e pronës është ylli i muzikës, Madonna.Jolie e bleu pronën në lagjen prestigjioze Laughlin Park në vitin 2017, pas divorcit nga Brad Pitt.
Në atë kohë, kërkonte një shtëpi private dhe të sigurt për veten dhe gjashtë fëmijët e saj.
Prona ka një histori të jashtëzakonshme.
Vila kryesore është ndërtuar në vitin 1913 dhe disa vite më vonë u ble nga regjisori legjendar Cecil B. DeMille, i cili jetoi aty për më shumë se katër dekada.
Pasuria lidhet gjithashtu me Charlie Chaplin.
DeMille bleu dikur shtëpinë ku kishte jetuar Chaplin dhe e bashkoi atë me pronën kryesore, duke krijuar një kompleks unik me histori të pasur kinematografike.
Impianti shtrihet në rreth 8,500 metra katrorë, teksa rezidenca kryesore ka afro 1,000 metra katrorë hapësirë.
Ajo përfshin gjashtë dhoma gjumi dhe dhjetë banjo.
Prona luksoze ka gjithashtu bibliotekë private, bodrum vere, palestër, shtëpi për mysafirë, pishinë, një çajtore, garazh të veçantë dhe hapësirë të dedikuar për sigurinë.
Tashmë, kjo rezidencë me një histori të gjatë hollivudiane i është bashkuar koleksionit të pasurive të Madonnas, derisa shitja e saj nga Angelina Jolie po shton zërat se aktorja po largohet gjithnjë e më shumë nga jeta e Hollywoodit. /Telegrafi/
