Ahmeti i shqetësuar dhe nuk mbështet protestat në Shqipëri: Kanë rënë në grackën e armiqëve!
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në Kuvendin Zgjedhor të partisë në Butel të Shkupit, ka folur për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat që sipas tij mund të kenë protestat dhe fushatat që po zhvillohen kundër vendit.
Ahmeti tha se Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe për mbarë shqiptarët, duke kujtuar rolin që ajo ka pasur në periudhat më të vështira.
“Ka ca ngjarje, zhvillime edhe në Shqipëri. Ai është vend ku ne na kanë ndihmuar. Shqipëria ka strehuar Kosovën. Shqipëria është pjesë e pandarë e lirisë së Kosovës. Pa ndihmën, pa mjetet e Shqipërisë, Kosova nuk do ishte Kosova që është sot”, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se zhvillimet e fundit po ndiqen me dhimbje, pasi sipas tij Shqipëria po përballet me dy goditje të rënda.
“Prandaj, me dhimbje po i përcjellim gjërat. Ne e shohim që këtu Shqipëria, nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje. Goditje të forta”, u shpreh kreu i BDI-së.
Duke folur për ndikimin ekonomik, Ahmeti theksoi se sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare është turizmi dhe se ai po vihet në shënjestër.
“Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Goditet tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, sepse turizmi po i rrezikohet nga Shqipëria, po i rrezikohet Greqisë. Që një shtet fqinj s’bën me menduar kështu për fqinjin e vet, po ja që ka ndodhur, që deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia”, tha Ahmeti.
Ai ngriti gjithashtu pretendime se fushatat kundër Shqipërisë po promovohen edhe nga qarqe në Serbi.
“Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bën fushatën për protestat në Shqipëri”, deklaroi ai.
Ahmeti tha se qëndrimet e tij nuk lidhen me mbështetjen ndaj individëve në politikë, por me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë.
“Dikush mund të ngrihet dhe të thotë: Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbet Shqipëria”, theksoi ai.
Sipas tij, përveç turizmit, po goditen edhe investimet e huaja dhe vendore, ndërsa pasiguria mund të ketë pasoja serioze për ekonominë.
“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; dega kryesore, investimet e huaja dhe vendore. Mos kujtoni që nuk ka pasoja për investitorët vendorë, e mos flasim më për të huaj. Se asnjë investitor vendor nuk rrezikon kapitalin e vet aty ku ka pasiguri”, tha Ahmeti.
Në fund, lideri i BDI-së akuzoi se përpjekjet për të krijuar pasiguri në Shqipëri u shërbejnë interesave të kundërshtarëve të shqiptarëve, ndërsa protestuesit, sipas tij, kanë rënë pre e këtyre ndikimeve.
“Dhe kush tenton pasigurinë ta krijojë në Shqipëri? Armiqtë e kombit shqiptar. Unë nuk them që këta kanë dalë në shesh aty, janë armiq, po kanë rënë në grackën e armiqve, pa analizuar dhe pa e studiuar mirë pasojat që i shkaktojnë kombit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë”, përfundoi Ahmeti.(INA)
