POLITIKATË FUNDIT

Pacolli: Për herë të parë deponitë sanitare hapen për qytetarët

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se për herë të parë në Kosovë qytetarët do të kenë mundësi t’i dorëzojnë vetë mbeturinat në deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).

Sipas ministres Pacolli, kjo nismë është pjesë e aksionit më të madh për pastrimin e vendit dhe synon eliminimin e deponive ilegale.

“Për herë të parë po ofrojmë një adresë të saktë, të sigurt dhe të ligjshme ku qytetarët mund t’i dorëzojnë vetë mbeturinat e tyre. Kjo nismë shënon një hap vendimtar dhe një qasje të re drejt synimit tonë përfundimtar: eliminimit të plotë të deponive ilegale që ndotin ambientin tonë”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo bëri të ditur se pranimi i mbeturinave nga qytetarët do të bëhet në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë, çdo të shtunë nga ora 08:00 deri në 16:00.

Sipas njoftimit, tarifa për pranimin e mbeturinave është 10.31 euro për ton, ndërsa pagesat do të kryhen vetëm me kartelë bankare. Në deponi do të lejohen të hyjnë vetëm traktorë, kamioneta dhe kamionë, ndërsa veturat e vogla nuk do të lejohen për shkarkimin e mbeturinave.

Ministrja ka paralajmëruar se tashmë nuk do të ketë asnjë justifikim për hedhjen e mbeturinave në natyrë apo në vende të papërshtatshme.

“Tashmë nuk ekziston asnjë arsye apo justifikim për hedhjen e mbeturinave në natyrë apo në vende të papërshtatshme. Toleranca do të jetë zero: çdo hedhje e mbeturinave jashtë deponive legale do të ndëshkohet pa asnjë kompromis dhe me gjobën maksimale të paraparë me ligj”, ka theksuar Pacolli.

Sipas saj, mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe shkelësit nuk do të tolerohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *