Shqiptari që themeloi studion e produksionit MARU në Zvicër, pritet në Konsullatën e Kosovës në Cyrih
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka mirëpritur në një takim Enis Shaqirin, themeluesin e MARU Studio në Zvicër, me të cilin ka bashkëbiseduar për rrugëtimin e tij profesional dhe mundësitë e bashkëpunimit në projekte që ndërlidhin krijimtarinë, kulturën dhe promovimin e Kosovës.
Shaqiri, me origjinë nga Lugina e Preshevës, është i lindur dhe i rritur në Winterthur të Zvicrës, ku ka ndërtuar një rrugëtim profesional në industrinë e filmit dhe produksionit audiovizual, shkruan Telegrafi.
Ai ka përfunduar studimet në fushën e produksionit filmik në SAE Institute në Cyrih, ndërsa më pas ka vazhduar specializimin akademik në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka diplomuar në Middlesex University (BA Hons) dhe University of Hertfordshire. Në vitin 2026, ai ka përfunduar edhe studimet master në Content Creation dhe Online Marketing.
Gjatë karrierës së tij, Shaqiri është angazhuar si drejtor fotografie, operator kamere dhe Steadicam, duke kontribuar në realizimin e projekteve të shumta muzikore dhe audiovizuale me artistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Përmes MARU Studio, të themeluar në Zvicër, ai zhvillon projekte në produksionin filmik, videografinë, fotografinë, krijimin e përmbajtjeve digjitale dhe marketingun kreativ.
Sipas njoftimit të Konsullatës, gjatë takimit është diskutuar për përvojën e Shaqirit në industrinë audiovizuale, rrugëtimin e tij profesional dhe mundësitë e bashkëpunimit në projekte që lidhin krijimtarinë, kulturën dhe promovimin e Kosovës. /Telegrafi/
