Haxhiu: Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së nuk bëhet duke i shpallur kundërshtarët politikë “spiunë” e “tradhtarë”
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me debatet publike për mbrojtjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë thirrje për maturi dhe shmangie të etiketimit të kundërshtarëve politikë.
Haxhiu ka thënë se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare dhe institucionale, por sipas saj, kjo mbrojtje nuk mund të bëhet përmes shpalljes së kundërshtarëve politikë si “spiunë” apo “tradhtarë”.
Ajo ka kritikuar gjithashtu shënjestrimin e dëshmitarëve dhe kërkimin e fajtorëve mes qytetarëve të Kosovës përmes protestave, emisioneve televizive dhe postimeve publike.
“Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, një popull i tërë nuk mund të paraqitet si burim i “spiunimit”, pasi përgjegjësia është individuale.
“Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka paralajmëruar se etiketimet e tilla mund të nxisin frikë dhe linçim, duke thelluar përçarjet në shoqëri.
Në reagimin e saj, kryetarja e Kuvendit u ka bërë thirrje personave që kanë të dhëna për individë që kanë dëmtuar ose dëmtojnë interesin kombëtar dhe shtetëror që t’i adresojnë ato te organet e sigurisë dhe drejtësisë.
“Sepse këto raste duhet të adresohen në plotni”, ka theksuar Haxhiu.
Në fund, ajo ka bërë thirrje për maturi në paraqitjet publike, duke thënë se vlerat e luftës së UÇK-së duhet të mbrohen përmes së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit.
“Asnjë padrejtësi nuk ndreqet duke prodhuar një padrejtësi tjetër. Vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë”, ka përfunduar ajo.
