A po ndahet LDK-ja në dy kampe? Përplasja për presidentin nxjerr në pah çarjet e thella brenda partisë
Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm është vënë në pikëpyetje pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së: Hykmete Bajramit, Avdullah Hotit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin Bekim Sejdiu.
Kundërshtimi i tyre ka thelluar përçarjet brenda LDK-së dhe ka vështirësuar sigurimin e votave të nevojshme.
LVV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18, por sipas Lumir Abdixhikut, vetëm 12 deputetë të LDK-së janë pro Sejdiut. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja me LDK-në mbetet në fuqi, pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve. Ai ka bërë të ditur se situata tash kërkon takime të reja dhe koordinim të mëtejshëm, pasi konfigurimi që ishte krijuar fillimisht nuk i ka më 80 deputetët e nevojshëm për procesin presidencial.
Nëse nuk gjendet një kompromis i ri, rreziku është që procesi presidencial të dështojë dhe vendi të përballet sërish me pasiguri institucionale.
Pikërisht për këtë arsye, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë ta shpëtojnë marrëveshjen, apo nëse Kosova do të hyjë përsëri në një fazë të re të krizës politike.
Rexhepi: Nëse Abdixhiku vendos masa të ashpra, rrezikon ta thellojë përplasjen dhe të krijojë një konflikt të hapur me figura me peshë brenda LDK-së
ImageAnalisti politik, Agim RexhepiFoto galeri
Analisti politik, Agim Rexhepi, për “Bota sot” ka vlerësuar se përplasja mes gjashtë deputetëve dhe Kryesisë së LDK-së paraqet një sfidë serioze për autoritetin e Lumir Abdixhikut dhe unitetin e partisë.
“Ajo që po ndodh brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk mund të trajtohet më si një mospajtim i zakonshëm politik. Kur gjashtë deputetë të një partie deklarojnë publikisht se nuk do ta respektojnë një vendim të Kryesisë së partisë së tyre, atëherë kemi të bëjmë me një problem serioz të autoritetit politik, të unitetit të grupit parlamentar dhe të vetë funksionimit të subjektit politik.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka bërë të qartë se kandidatura e Bekim Sejdiut është miratuar unanimisht nga Kryesia e partisë. Megjithatë, gjashtë deputetë – Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – kanë deklaruar se nuk do ta votojnë.
Kjo është pikërisht pika ku lind pyetja themelore: çfarë vlere ka vendimi i Kryesisë së një partie, nëse një pjesë e konsiderueshme e grupit parlamentar mund ta injorojë atë pa pasoja?
Abdixhiku përballë sfideës më të madhe brenda LDK-së
Për Abdixhikun, kjo nuk është vetëm çështje e Bekim Sejdiut. Është një test për autoritetin e tij si kryetar.
Nëse Kryesia merr një vendim unanim dhe deputetët e kundërshtojnë atë, kryetari përballet me dy zgjedhje të vështira:
Ose e mbron autoritetin e organeve të partisë, ose lejon që grupi parlamentar të funksionojë si njësi e pavarur nga vendimmarrja politike e LDK-së.
Të dyja rrugët kanë kosto.
-Nëse Abdixhiku vendos masa të ashpra, rrezikon ta thellojë përplasjen dhe të krijojë një konflikt të hapur me figura me peshë brenda LDK-së.
-Nëse nuk ndërmerr asgjë, rrezikon të krijojë precedent që vendimet e Kryesisë mund të refuzohen nga deputetët pa pasoja politike.
Prandaj deklarata e tij se “natyrën disiplinore brenda LDK-së do ta kemi” nuk duhet parë si kërcënim retorik. Është paralajmërim se përplasja mund të kalojë nga debati politik në një përballje institucionale brenda partisë. Abdixhiku madje ka thënë se, sipas tij, një deputet që nuk respekton vendimin e organeve të LDK-së së paku duhet ta shqyrtojë dorëzimin e mandatit”, shpjegon ai.
Çfarë mund të ndodhë me gjashtë deputetët?
Rexhepi ka theksuar se përplasja me gjashtë deputetët mund të sjellë masa disiplinore dhe thellim të ndasive brenda LDK-së.
Sipas tij, sfida kryesore mbetet ruajtja e unitetit dhe funksionimi i grupit parlamentar si një trup i unifikuar.
“Nuk duhet paraprirë me përfundimin se ata do të përjashtohen nga LDK-ja. Kjo varet nga statutet dhe procedurat e brendshme të partisë dhe nga vendimet që do të merren.
Por politikisht, pasojat mund të jenë disa:
– Masa disiplinore;
paralajmërime ose qortime brenda strukturave;
– Humbje e pozitave brenda organeve të partisë;
– Izolim politik brenda grupit parlamentar;
– Përplasje e drejtpërdrejtë me kryetarin dhe Kryesinë;
dhe, në skenarin më ekstrem,
– Largim ose përjashtim nga strukturat partiake.
Por ekziston edhe një problem tjetër shumë më i madh: a mund të vazhdojë LDK-ja të funksionojë si një grup parlamentar i unifikuar nëse kjo përçarje nuk zgjidhet?
Sepse gjashtë deputetë nuk janë një zë periferik. Ata përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të grupit parlamentar”, deklaron ai.
A po ndahet LDK-ja?
Rexhepi ka vlerësuar se përplasja brenda LDK-së nuk lidhet vetëm me kandidaturën për president, por me dallimet rreth kursit politik të partisë.
Ai thotë se, nëse këto mospajtime nuk tejkalohen përmes dialogut dhe konsensusit, kriza mund të thellohet dhe të rrezikojë edhe unitetin e LDK-së.
“Do të ishte e nxituar të thuhej se LDK-ja tashmë është ndarë.
Por është po aq e gabuar të thuhet se nuk ka krizë.
Por kriza ekziston.
Dhe ajo ka potencial të shndërrohet në ndarje nëse përplasja mbi kandidaturën presidenciale shndërrohet në një konflikt më të gjerë për drejtimin politik të LDK-së.
Në thelb, këtu nuk kemi vetëm përplasjen “Abdixhiku kundër gjashtë deputetëve”.
Kemi një përplasje për kursin politik të LDK-së.
Njëra palë duket se e sheh marrëveshjen për presidentin si një mundësi për të tejkaluar krizën institucionale dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.
Pala tjetër e sheh votën për kandidatin si një çështje politike që nuk mund të ndahet nga qëndrimi ndaj pushtetit të Albin Kurtit. Madje deputetja Janina Ymeri e ka shpjeguar qëndrimin e saj si refuzim të asaj që ajo e konsideron “zgjatje të pushtetit të Kurtit”.
Kjo tregon se konflikti është shumë më i thellë se sa emri i Bekim Sejdiut”.
Në përfundim, Rexhepi vlerëson se LDK-ja ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm, ku dialogu dhe kompromisi janë të domosdoshëm për të shmangur thellimin e përçarjeve.
Sipas tij, ruajtja e unitetit të partisë dhe tejkalimi i krizës duhet të jenë prioritet, në mënyrë që përplasja aktuale të mos kthehet në një krizë më të madhe politike.
“Pyetja që duhet të bëjë LDK-ja?
“Pyetja kryesore nuk është vetëm:
“A do ta votojnë gjashtë deputetët Bekim Sejdiun?”
Pyetja është:
“Kush e përcakton politikën e LDK-së – Kryesia e zgjedhur e partisë apo deputetët individualë?”
Në një demokraci parlamentare, deputeti ka mandat dhe përgjegjësi individuale. Por në të njëjtën kohë, një parti politike nuk mund të funksionojë nëse vendimet e organeve të saj nuk kanë asnjë autoritet mbi grupin parlamentar. Kjo është dilema që tashmë ndodhet mbi tryezën e LDK-së.
Këtu Abdixhiku ka një argument të fuqishëm
Kosova tashmë ka kaluar një periudhë të gjatë të bllokadës institucionale. Marrëveshja LVV–LDK për mbështetjen e Bekim Sejdiut ishte parë si një mundësi për ta zhbllokuar situatën politike dhe për të hapur rrugën drejt funksionalizimit të institucioneve. Reuters e ka përshkruar marrëveshjen si një hap potencial për stabilizimin institucional pas një periudhe të gjatë pasigurie politike.
Nëse kjo marrëveshje dështon dhe vendi shkon sërish në zgjedhje, atëherë pyetja duhet t’u drejtohet të gjithë deputetëve:
A ia vlen të rrezikohet edhe një cikël tjetër zgjedhor për shkak të një përplasjeje politike brenda një partie?
Kjo nuk është më çështje e Abdixhikut, as e gjashtë deputetëve.
Është çështje e përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
LDK-ja NUK DUHET TË SHKATËRROHET NGA BRENDA
LDK-ja është një nga partitë historike të Kosovës dhe një subjekt me peshë të veçantë në historinë politike të vendit. Prandaj, nëse sot përplasja kthehet në luftë të brendshme për pushtet, humbësi nuk do të jetë vetëm Abdixhiku. Nuk do të jenë vetëm gjashtë deputetët. Humbëse mund të dalë vetë LDK-ja. Dhe nëse përçarja thellohet deri në krijimin e dy kampeve të qëndrueshme, atëherë LDK-ja mund të përballet me një nga momentet më të vështira të historisë së saj të fundit: jo thjesht humbjen e një beteje parlamentare, por rrezikun e një çarjeje organizative dhe politike.
Në fund, përgjegjësia është e të gjithëve. Abdixhiku duhet të tregojë se mund ta ruajë autoritetin pa e shkatërruar unitetin. Gjashtë deputetët duhet të tregojnë se kundërshtimi i tyre nuk është thjesht një betejë personale apo një rebelim ndaj kryetarit.
Dhe LDK-ja duhet t’i përgjigjet pyetjes më të rëndësishme: A është ende një parti me vendimmarrje të përbashkët, apo po shndërrohet në një bashkim grupesh që ecin në drejtime të ndryshme. Sepse një gjë është e sigurt: nëse kjo përplasje nuk zgjidhet politikisht dhe me përgjegjësi, vota për presidentin mund të jetë vetëm fillimi i krizës së vërtetë brenda LDK-së” – përfundon ai për gazetën.
Lama: Mendoj se LDK është në krizë të rëndë të lidershipit, në një farë mënyre është e marrë peng
Kurse, analistja Alma Lama në një përgjigje për “Bota sot”, u shpreh se LDK-ja ndodhet në krizë të lidershipit dhe se gjashtë deputetë të saj janë kundër bashkëpunimit me VV-në.
ImageAlma LamaFoto galeri
“Mendoj se LDK është në krizë të rëndë të lidershipit, në një farë mënyre është e marrë peng. U bë tashmë 6 vite që bën lojën e Kurtit, prej zgjedhjes së zonjës Osmani si presidente, me qëndrime të çuditshme që shpërblejnë kundërshtarin kryesor politik. Mendoj se kriza do të thellohet sa kohë që Abdixhiku është kryetar formal sepse ai e ka humbur legjitimitetin. 6 deputetët janë kundër bashkëpunimit me VV”, tha ajo.
Lama ka kritikuar mënyrën e negociimit të Abdixhikut, duke thënë se mungesa e konsultimit me deputetët dhe përzgjedhja e kandidatit pa siguruar votat përbëjnë gabime politike.
“Sa kuptoj unë, jo vetëm një ndaj emrit të propozuar. Një problem tjetër është që Abdixhiku nuk ka arritur t’i imponojë Kurtit një kandidat të LDK-së, gjë që do të bashkonte partinë. Gabimi tjetër i Abdixhikut është që ka shkuar në negociata për emër pa i konsultuar me deputetët, por po kërkon t’ua imponojë emrin. Pra, ka rënë pikërisht në kurthin e ngritur nga Kurti. Pa ashtu nuk është as korrekte me kandidatin dhe serioze sjellja ndaj kandidatit për president, që ta propozojnë publikisht pa ia garantuar votat.
