TË FUNDIT

A mund Haxhiu ta ushtrojë detyrën e presidentit edhe për gjashtë muaj të tjerë?

Në më pak se një muaj, Kosova mund të përballet me një gjendje të pasigurt kushtetuese, nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit. Ekspertë ligjorë thonë se kryeparlamentari nuk mund ta vazhdojë këtë detyrë përtej këtij afati gjashtëmujor.

Ushtruesja e tanishme e kësaj detyre, Albulena Haxhiu, u rizgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës më 9 shtator, ndërsa më herët nga partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, është hedhur ideja se kryetarja e re e Kuvendit mund ta vazhdojë edhe një gjashtëmujor të dytë në rast nevoje.

Edhe Presidenca – të cilën e udhëheq Haxhiu që nga 4 prilli, kur presidentes së deriatëhershme, Vjosa Osmani, i mbaroi mandati – ka thënë se kryetarja e re e Kuvendit do të vazhdonte ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

A mund ta vazhdojë detyrën Haxhiu përtej 4 tetorit?

Jo, thonë disa ekspertë ligjorë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.

Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, sipas Kushtetutës.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se Haxhiut, si kryetare e Kuvendit, mandati si ushtruese e detyrës së presidentit i përfundon më 4 tetor.

“Pas kësaj date skadon afati i gjashtëmujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit, për shkak se është në kundërshtim me nenin 90, paragrafin 3, të Kushtetutës së Kosovës”, tha Bugaqku për REL-in të mërkurën, pasi Haxhiu u rizgjodh kryeparlamentare.

Sipas Bugaqkut, çdo vendim apo dekret që mund të nxirret pas kësaj date nga Haxhiu është i kontestueshëm për nga kushtetutshmëria, dhe rrezikon të rrëzohet nga gjykatat.

Ai thotë se deputetët duhet ta shohin si alarmues afatin kohor deri më 4 tetor për zgjedhjen e presidentit.

Haxhiu e ndërpreu seancën konstituive të mërkurën, duke e shtyrë për të premten vazhdimin e saj për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit.

Ajo tha se nuk kishte pajtueshmëri për mënyrën e votimit të nënkryetarëve dhe se deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, dështoi ta tërhiqte fjalën “në emër të popullit serb”, kur e propozoi kandidatin për nënkryetar nga komuniteti serb.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për REL-in se Kushtetuta e Kosovës e lidh kufizimin gjashtëmujor me ushtrimin e postit të presidentit, e jo me personin që e ushtron atë.

Sipas Miftarajt, për këtë arsye, ndryshimi i personit që e ushtron detyrën e presidentit, apo rizgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nuk mund të ketë efektin e fillimit të një afati të ri gjashtëmujor.

“Një interpretim i tillë do të mundësonte që, përmes ndryshimit të personit, gjendja e ushtrimit të detyrës së Presidentit të vazhdonte përtej kufirit prej gjashtë muajsh të përcaktuar shprehimisht me Kushtetutë’’, thekson ai.

“Tejkalimi i 4 tetorit pa një president të ri cenon sigurinë e shtetit”

Bugaqku shton se, për shtetin dhe sistemin kushtetuese parlamentar në Kosovë, tejkalimi i afatit të 4 tetorit do të thotë “një njollë shumë e keqe dhe një precedent i rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”.

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, kishte thënë më herët për REL-in se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit “është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.

Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, pretendoi ai.

“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaroi Rrustemi për REL-in.

Më herët, Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, i kishte thënë REL-it se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.

Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.

“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.

Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i tha REL-it se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.

Partitë opozitare shqiptare nuk janë deklaruar për këtë çështje publikisht.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca nuk iu përgjigjën as pyetjeve të REL-it rreth kësaj çështjeje.

Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë në zemër të krizës politike në vend dhe shkaktoi zgjedhje të reja parlamentare në qershor.

Një marrëveshje e brishtë mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e diplomatit dhe juristit kosovar, Bekim Sejdiu, nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme, pasi edhe deputetë nga vetë LDK-ja e kanë kundërshtuar publikisht.

Nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

LVV-ja ka 53 mandate, ndërsa LDK-ja 18. / REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *