TË FUNDIT

Tragjedi në Bullgari: 12 të vdekur nga aksidentet zinxhirore

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar nga dy aksidente zinxhirore të ndodhura në Bullgari, në një nga fatkeqësitë më të mëdha rrugore të viteve të fundit në vend.

Sipas Associated Press (AP) , aksidentet ndodhën të martën, më 10 nëntor, rreth orës 07:00, në një autostradë në lindje të vendit, mes kryeqytetit Sofje dhe qytetit bregdetar Burgas.

Në përplasjet u përfshinë gjithsej 86 automjete, përfshirë edhe shumë kamionë të rëndë. Aksidentet ndodhën në të njëjtën zonë, por në drejtime të kundërta të autostradës, duke detyruar autoritetet të ndërpresin qarkullimin në të dyja drejtimet.

Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, njoftoi se 10 persona vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa 2 të tjerë gjatë transportit për në spital. Gjithsej 46 persona u dërguan në institucione shëndetësore për trajtim.

Policia ka nisur hetimet për rrethanat e aksidenteve. Vlerësimet fillestare tregojnë se mjegulla e dendur, sipërfaqja e lagësht e rrugës dhe shpejtësia e papërshtatshme për kushtet atmosferike mund të kenë ndikuar në shkaktimin e tragjedisë.

Guvernatori rajonal, Mihail Kasherov, e përshkroi situatën në vendin e ngjarjes si të jashtëzakonshme, duke thënë se nuk kishte parë më parë një skenë të tillë.

Tragjedia ka ndikuar edhe në agjendën e udhëheqësve shtetërorë. Kryeministri bullgar, Rumen Radev, ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të shkuar në vendin e aksidenteve.

Ndërkohë, presidentja bullgare, Iliana Yotova, ndërpreu pjesëmarrjen në Forumin e Paqes në Paris për t’u kthyer menjëherë në Bullgari. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *