Kreu i MI5: Rusia është kërcënimi kryesor, po intensifikohet lufta hibride kundër Evropës
Kreu i shërbimit britanik të inteligjencës së brendshme MI5, Sir Ken McCallum, ka deklaruar se Rusia mbetet kërcënimi kryesor nga shtetet e huaja, duke paralajmëruar se Moska po zhvillon luftë hibride kundër vendeve evropiane.
Në fjalimin e tij vjetor në Londër, McCallum tha se kërcënimet nga kundërshtarët e huaj janë katërfishuar gjatë dekadës së fundit, ndërsa MI5 tashmë po shpenzon më shumë burime për t'u përballur me kërcënimet shtetërore sesa gjatë Luftës së Ftohtë.
“Rusia është agresori numër një”, tha ai, duke theksuar se Moska po përpiqet të destabilizojë vendet evropiane, në vend që të përfshihet në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n.
Sipas kreut të MI5, përparimi i Rusisë në pushtimin e Ukrainës mbetet “minimal dhe me kosto tmerrësisht të lartë”, ndërsa Kremlini po përdor metoda të tjera për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të tij, shkruan bbc.
Lufta hibride përfshin sulme kibernetike, sabotime dhe fushata dezinformimi, të cilat synojnë të dobësojnë institucionet dhe të destabilizojnë shtetet pa përdorur drejtpërdrejt forcën ushtarake.
McCallum tha se dëbimi i gati 1000 personave të lidhur me operacionet e fshehta ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës e ka dobësuar rrjetin e Moskës, duke e detyruar atë të mbështetet më shumë te persona të rekrutuar përmes pagesave për të kryer sulme.
“Me rrjetin e tij tradicional të operacioneve të fshehta të shkatërruar nga dëbimi i gati 1,000 personave që nga pushtimi, Kremlini ka një arsenal global të dobësuar”, deklaroi ai.
“Prandaj, i shohim duke u përpjekur me dëshpërim të paguajnë kriminelë për t'i kryer porositë e tyre”, shtoi kreu i MI5, duke theksuar se këto nuk janë veprime të një fuqie që ka epërsi strategjike.
Paralajmërimet e tij vijnë në një kohë kur disa liderë evropianë kanë shprehur shqetësimin se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme për të testuar vendosmërinë e vendeve perëndimore në mbështetjen e Ukrainës.
McCallum foli gjithashtu për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në debatin politik në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë referendumin e vitit 2016 për Brexit-in. Ai tha se mediat ruse dhe rrjetet e trollëve dhe robotëve në internet ishin përpjekur të ndikonin në debat, por bëri dallimin mes përpjekjeve për ndërhyrje dhe arritjes së një rezultati të caktuar.
Kreu i MI5 paralajmëroi edhe për zgjerimin e aktiviteteve të lidhura me Iranin në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, gjatë vitit të fundit janë arrestuar 50 persona për aktivitete të lidhura me Teheranin, ndërsa objektivat kanë përfshirë komunitetet hebraike dhe instalimet ushtarake.
Një tjetër shqetësim është përdorimi i inteligjencës artificiale nga grupet ekstremiste. McCallum tha se MI5 ka identifikuar terroristë që synojnë ta shfrytëzojnë këtë teknologji për të përmirësuar metodat e vëzhgimit dhe të sulmit, përfshirë përdorimin e dronëve.
Ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të lehtësojë prodhimin e propagandës dhe materialeve radikalizuese, ndërsa në të ardhmen mund të shtojë edhe rrezikun e përdorimit të armëve biologjike.
Në fund, McCallum tha se kërcënimi terrorist në Mbretërinë e Bashkuar mbetet i lartë, me rreziqe që vijnë si nga grupet islamiste, përfshirë Al-Kaidën dhe të ashtuquajturin Shtet Islamik, ashtu edhe nga ekstremi i djathtë. /Telegrafi/
