Policia gjermane propozoi që vajzat të vjellin në rast se tentohet t’i përdhunojnë, psikologët dhe rrjeti revoltohen nga këshilla
Një këshillë e pazakontë e policisë gjermane për t’u mbrojtur nga sulmet seksuale ka nxitur reagime dhe kritika. Sipas policisë, kjo mund të jetë një nga mënyrat e mundshme për të penguar një sulmues që të vazhdojë veprimin e tij. Megjithatë, këshilla ka shkaktuar debat, ndërsa ekspertët vënë në pikëpyetje sigurinë dhe efektivitetin e saj. Mirëpo, kundër kësaj ideje, kanë dalur psikologët, pasi, thonë se se nxitja e të vjellave mund të jetë e rrezikshme dhe se efektiviteti i kësaj metode nuk është vërtetuar shkencërisht. Psikologia zvicerane Stefanie Gonin-Spahni, nga Universiteti i Bernës, e konsideron këtë rekomandim problematik. Ajo thekson se provokimi i të vjellave me vullnet është i vështirë edhe në kushte normale, ndërsa gjatë një sulmi seksual stresi ekstrem mund ta bëjë edhe më të pamundur, shkruan 20Minuten , transmeton Telegrafi. Sipas saj, ekziston edhe rreziku i mbytjes, veçanërisht nëse sulmuesi ia mban viktimës gojën të mbyllur ose e mban të shtrirë në shpinë gjatë të vjellave. Një tjetër faktor është reagimi i trupit ndaj frikës. Disa persona mund të ngrijnë nga frika gjatë një sulmi dhe të mos jenë në gjendje të reagojnë apo të kontrollojnë veprimet e tyre. Kjo është një përgjigje e njohur ndaj situatave traumatike dhe nuk duhet interpretuar si paaftësi për t’u mbrojtur. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se nuk ka garanci që ndjenja e neverisë do ta ndalojë një person që kryen sulm seksual. Përkundrazi, sjellja e sulmuesve mund të ndikohet nga dëshira për pushtet dhe kontroll, prandaj një reagim i tillë nuk mund të konsiderohet metodë e sigurt mbrojtjeje. Kjo këshillë ka nxitur edhe kritika në rrjetet sociale, ku disa përdorues e konsiderojnë atë jorealiste dhe shprehin shqetësimin se përgjegjësia për parandalimin e sulmeve po zhvendoset te viktimat. Ekspertët nënvizojnë se përgjegjësia për një sulm seksual i takon gjithmonë autorit dhe jo viktimës, pavarësisht mënyrës se si ajo ka reaguar gjatë ngjarjes. Në kuadër të parandalimit, policia rekomandon gjithashtu që personat në rrezik të kërkojnë ndihmë, të tërheqin vëmendjen e të tjerëve, të largohen nga situata kur është e mundur dhe të përdorin mjete alarmi për të sinjalizuar rrezikun. Ekspertët kërkojnë që përpjekjet për parandalimin e dhunës seksuale të përqendrohen më shumë te parandalimi i sjelljeve abuzive dhe te përgjegjësia e autorëve, në vend që viktimave t’u ngarkohen pritshmëri për mënyrën se si duhet të reagojnë në një situatë ekstreme. /Telegrafi/
